Vera e Babagjyshit të Krishtlindjes

365 0

Na ishte njëherë një besimtar, nga rajoni i Turqisë së sotme juglindore, që pas vitesh burgimi e persekutimi pse i krishterë, ia dedikoi ekzistencën të ndihmuarit e të pafatve, vajzave të varfëra, dhe fëmijëve jetimë. Ai më pas u bë peshkop i Myra-s, sot Demre, qytet i lashtë në provincën e Antalya-s. Sipas legjendës, Nikola, për turqit Noel Baba, hidhte monedha floriri në oxhaqet e shtëpive ku jetonin vasha në moshë për t’u martuar e që nuk kishin mundësi të bënin pajë. I shenjtëruar për veprën e bamirësisë, u kthye në Shënjtin mbrojtës të virgjëreshave, marinarëve dhe fëmijëve.

Por ndoshta jo të gjithë e dinë se ky bamirës është edhe Babagjyshi i Krishtlindjes apo i Vitit të Ri, siç u detyruam ta quajmë ne për disa vjet me rradhë. Po, sepse rreth dekadave të para të shekullit të nëntëmbëdhjetë poetë e shkrimtarë ndihmuan në krijimin e figurës së babagjyshit në versionin në të cilin e njohim duke rekuperuar legjendën e Shën Nikolës. Më kryesorët ndër të cilët ishin: Washington Irwing që, në një libër të vitit 1809 imagjinoi një Nikola që kalonte mbi çatitë me karrocën e tij për t’i sjellë dhurata fësmijëve të mirë. Drerët u bënë tetë dhe karro u shndërrua në slitë vetëm me poezinë ‘’Një vizitë nga Shën Nikola’’, që njëfarë Clement Clarke Moore shkroi për fëmijët e tij e që njohu më pas një shpërndarje epidemike.

Vetëm nga fundi i shekullit XIX falë vizatimeve të dizenjuesit e karikaturistit politik amerikan, Thomas Nast mendjeve iu ngulit versioni i konsideruar ‘standard’. E kur rikthehet në Evropë, ku edhe më parë ndër shekuj, ekzistonin në traditën anglosaksone, qeniet qesharake veshur me gëzof, që shpërndanin dhurata për fëmijët, figura e Santa Klaus-it vjen e standadtizuar, falë edhe publicitetit të Coca-Cola-s, duke marrë emra nga më të ndryshmit si Père Noel, Father Christmas apo Babbo Natale.

Në të vërtetë Nikola, sipas studimeve bërë nga një grup shkencëtarësh eshtrave të mbetura të shenjtorit, duhej të ngjante me një plakush, me lëkurë ngjyrë ulliri, me hundë të thyer, ndoshta gjatë persekutimeve e me mjekër dhe flokë të hirtë. Ky duhet të ketë qenë Nikola, që s’kish si të mos konsumonte verën, që hershëm aq të dashur për njeriun e aq domethënëse për shërbyesin e kultit. Për kureshtjen e cilitdo të rritur, kemi pyetur veten se ç’lloj vere duhet të ketë pirë ky bamires njeri i fesë, me origjinë nga Azia e Vogël djep i vitikulturës, kur ishte ende në jetë. Në rajonin e gjerë që përfshin Armeninë, Gjeorgjinë e Turqinë, ku natura shumë favorizoi rritjen e rrushit për verë, verëtaria ishte zhvilluar që hershëm. Jo vetëm banorët e rajonit, por aq më teper njerëzit e kishës ia njihnin efektet e dobishme lëngut fisnik që dhuron hardhia.

Sot, krahina e Antalias është një nga zonat tipike të verëtarisë turke ku vitikultura lulëzon me lloje autoktone dhe ndërkombëtare duke renditur varietete e verëra të ndryshme. Por ajo që na pëlqen të mendojmë se degustonte Babagjyshi ynë, mund të ketë qenë vetëm një verë prej varieteteve autoktone turke, BoÄŸazkere – Öküzgözü, një bashkim dy varietetesh indigjene të rrushit, që kanë rezultuar jashtëzakonisht poltësuese të njëra tjetrës: BoÄŸazkere shquhet për taninet e forta dhe strukturën e mirë, ndërsa Öküzgözü jep verë të kuqe të shndritshme ku mbizotërojnë frutat. Së bashku, dhurojnë një verë të plotë e intense që shoqëron fort mirë ushqimin dhe që është e aftë të përfitojë nga vjetrimi. Të dy varietetet thuhet ta kenë origjinën nga pllajat e lartësive që rrethojnë Ankaranë në Turqinë qendrore. Zakonisht Öküzgözü është përdorur si një varietet për t’u përzjerë me një gamë të gjerë varietesh vendase apo ndërkombëtare, falë aciditetit të tij të lartë.

BoÄŸazkere vinifikohet zakonisht më vete, edhe pse përzjerjet me Öküzgözü janë gjithnjë e më të shpeshta, nganjëherë me Syrah gjithashtu. Në përzierje, BoÄŸazkere jep trupin e ngjyrën e dendur, tanine të rënda dhe aroma frutash të errëta e jamball. Öküzgözü shton stil dhe elegancë, me aromat e tij të gjalla frutore që e lartësojnë verën dhe zbusin taninet, dhe një aciditet evident që shton fokusin për të cilin partneri i saj vuan. Sot këto verëra zakonisht vjetërohen në fuçi lisi ku edhe zbuten më tej taninet dhe shtohen disa karakteristika pikante ekstra. Por, përdorimi i fuçive të vogla të lisit druaj se nuk ishin praktikë e kohës së udhëtimit tokësor së Nikolës sonë. Nuk mund të thuhet me siguri tamam ç’përmbanin vaktet e peshkopit Nikola, por sot ato çka sygjerohen për t’u shoqëruar më këtë verë janë; musaka, shishqebap viçi, byreçka me mish të grirë në stilin egjiptian.

Por historia joinë nuk mbaron këtu. Në një kohë kur njerëzimi kishte filluar tashmë të njihte mesjetën e errët e kur lulëzonin anembanë, legjendat mbi heronj e kalorës dhe veprat e shenjtorët mrekullibërës ishin në rend të ditës. Kështu ndodhi që në vitin 1087 një grup marinarësh dhe priftërinjsh barezë zbarkuan në Myra dhe rrëmbyen eshtrat e Nikola-s. Nga deti i sollën në Bari, ku adhurohen akoma edhe sot, duke e kthyer qytetin në destinacion pelegrinazhi besimtarësh të devotë të Shenjtit.

Por më parë se vetë Shenjti, në rajon kishte mbërritur, një hardhi e aftë të japë një të verë të kuqe tëpër interesante. Emri i rrushit është Nero di Troia, apo Uva di Troia, diku më në veri edhe Sumarello, Uva di Canosa, Uva di Barletta e kështu me rradhë. Siç e do gojëdhëna, varieteti në fjalë, u soll në Puglia nga heroi trojan Diomed i cili ngjiti grykëderdhjen e Lumit Ofanto, në veri të krahinës së Puglia-s dhe themeloi qytetin që mban emrin e Trojës legjendare e të vete rrushit. Edhe pse në Puglia ky gjeti vetëm një atdhe të dytë, Nero di Troia do të kthehej ndër vite, e sidomos së fundmi, në një nga simbolet e verëtarisë puljeze.

Vera që jep Nero di Troia ka një ngjyrë të gjallë dhe një buqetë aromash të freskët dhe elegante me nota tipike të vjollcës. Kjo nuk është veçanërisht acidike në shije, por është e pasur me polifenole dhe sidomos tanine, të cilat mund të shfrenohen, nëse vera vjen nga rrushi që nuk është pjekur plotësisht. Kloni me kokrra më të vogla zhvillon verëra me një ngjyrë më intensive dhe tanine më të buta.

Është vështirë të gjesh kushtet optimale në një vresht normal, dhe kjo është arsyeja pse efekti tipik rrudhës (teknikët duhet të tregohen indulgjentë ndaj terminologjive, por në prag Krishtlindjesh bëhemi të gjithë më të mirë dhe në fund të fundit, rëndësi ka që verëdashësi të na ndjekë) i Nero di Troia-s, është mundur tradicionalisht të zbutet, nga përzierja me varieteteve të tjera. Tradicionalisht, për ta rrumbullakosur e lidhin me Montepulciano e si për t’ia rikujtuar këtë verëtarit, në Puglia, vite më parë mbillej një rresht Montepulciano, çdo tre rreshta Nero di Troia. Sa më shumë Montepulciano, aq më e gatshme për t’u pirë, vera e përftuar. Për ta shoqëruar denjësisht, do të bënin: gatime me ragu’, lasagna, mish në zgarë e djathra të stazhonuar.

Na ka ndodhur të shijojmë 100% Nero di Troia më vete, e na është dukur mjaft elegante për të qenë një puljeze tipike, por në qoftë se duhet të jetë Nero di Troia, le të jetë një shok i mirë për Montepulciano dhe Cabernet, mbjellë në Puglia, sipas një blending-u të sukseshëm e aspak komercial. Eksperiencë shijimi e denjë për shënim. Ndoshta ka qenë pikërisht prag Krishtlindjesh.

Shën Nicola, thuhet të jetë mbrojtësi i kujtdo që gjendet në një situatë të vështirë, por edhe pa shpresuar në mrekullira shenjtorësh, një verë e mirë, e ndarë me të dashurit, kënaq qiellzat edhe zemrat. Prandaj, le të jetë kjo Krishtlindje, një Krishtlindje e spërkatur me verë, nga ato që pinte Babagjyshi, por edhe çdo verë tjetër që do të keni zgjedhur vetë!

*Andi Qinami ka studiuar drejtësi në Universitetin e Barit dhe ka qenë anëtar i Dhomës kombëtare të avokatisë prej vitit 2009. Interesi për çështjet e kohës, të drejtën e Bashkimit Evropian, dhe pasioni për verën dhe distilatet e romanet historike e kanë shoqëruar gjatë gjithë eksperiencave me sektorin privat dhe atë publik brenda dhe jashtë vendit. Ka bashkëpunuar me të përjavshmen ‘’Klan’’ dhe është ideues i kategorisë Nunc est bibendum në bota.al. Ky artikull është shkruar posaçërisht për agroweb.org.