Të huazuar nga italianët kemi përdorur gjithnjë shprehjen ‘Nëse nuk e do burrin, bleji motorr’. Ndërkaq që ne shqiptarët duhet të përdorim një shprehje tonën, ‘Nëse nuk e do burrin, mbushja pjatën plot’.

Prej shekujsh ka ekzistuar idea se kur shtrohemi për të ngrënë, burrit të shtëpisë duhet t’i vëmë në pjatë racionin më të madh. Logjika vinte prej faktit se ai lodhej me shumë, mbante familjen, e duhet të merrte shumë fuqi, kjo edhe në rastet kur të dy burrë e grua bënin të njëjtën punë. Ashtu vazhdojmë edhe sot, kur kryefamiljarit i japim copën më të mirë të mishit, në mos ne, nëna e tij.

Por në këtë mënyrë ne, femrat, i kemi bërë dëm partnerëve tanë. Sipas Institutit të Statistikave, nga viti 1990 deri në vitin 2014, numrin më të madh të vdekjeve e shënojnë meshkujt, dhe një nga arsyet kryesore është pikërisht teprimi me ushqimin çka bëhet shkak për një sërë sëmundjesh kardiovaskulare.

Pedagogu i njohur në Fakultetin e Bioteknologjisë Kristaq Sini, në një intervistë për AgroWeb, na shpjegon se realisht efektet negative të dozave të tepruara të ushqimit, që çojnë deri në përfundimin se meshkujt në Shqipëri jetojnë më pak se femrat. 

Pedagogu shprehet se “Nëse një njeri ha sasi të mëdha ushqimi dhe vazhdimisht gjatë ditës dhe sidomos kur ushqehet me pak lloje ushqimesh, elementët ushqimorë të tretur nuk arrijnë të asimilohen nga organizmi, por mbeten rrugëve të transportit të tyre (gjak dhe limfë) dhe grumbullohen në qelizat e çdo organi.

Mundësia e përdorimit të tyre është e vështirë dhe në këtë mënyrë edhe eleminimi i tyre është shumë i pakët dhe i vështirë. Kjo ka për pasojë në rradhë të parë lodhjen metabolike të organeve të veçantë (melçisë, pankreasit, veshkave,trurit etj), në varësi edhe të trashëgimisë gjenetike, gjë që reflektohet në sëmundje me emërtime të ndryshme, sipas organit dhe produkteve që ai organ prodhon”.

Njeriu nuk është makinë që mer karburant për energji, por ushqime që kanë për funksion mbajtjen, ndërtimin, ripërtëritjen e qelizave të organizmit dhe riprodhimin për të siguruar vazhdimësinë e ekzistencës së llojit njerëzor. Nëpërmjet këtyre proceseve jetësore sigurohet edhe energjia e kërkuar për realizimin e tyre. 

Nga ana tjetër, ushqimi i tepërt dhe mbetjet e tyre në inde apo organe nuk përmbajnë vetëm karbohidrate (sheqerna), yndyrna dhe proteina, që prodhojnë “kalori”. Ato përmbajnë edhe elementë të tjerë ushqimorë si vitamina dhe kripra minerale, të cilat mbeten të papërdorshme për organizmin.

Të gjitha së bashku të dëmtojnë, sepse jo vetëm mungesa, por edhe tepria e tyre sjell probleme në organizmin e njeriut. Sidoqoftë, duhet pranuar se sasia e ushqimit të marrë duhet të jetë më e madhe për njerëz që meren me punë apo aktivitete fizike, në krahasim me ata që bëjnë jetë sedentare”.

AgroWeb i rikujton profesor Sinit aktualitetin shqiptar se zakonisht burrave në shtëpi, me mentalitetin tonë sigurisht i vihet racioni më i madh i ushqimit, dhe pyesim nëse kjo mënyrë mund t’i përshpejtojë sëmundjet.

Pedagogu i Fakultetit të Bioteknologjisë Kristaq Sini tregon se “Kjo ka lidhje me mënyrën e jetesës, e cila lidhet shumë me mentalitetin shoqëror që ju përmendni. Shoqëria shqiptare ka qenë shumë patriarkale dhe burrit, “shtyllës” së shtëpisë i vihej racioni më i madh i ushqimit. Për gruan ishte turp të hante shumë apo të pinte duhan e pije alkooloke si burri.

E vetmja anë e mire e këtij diskrimini ishte në lidhje me faktorin e sipërpërmendur të ndikimit të sasisë të ushqimit dhe shmangien e duhanit dhe alkoolit. Nga ana tjetër, nuk mund të lihet pa përmendur edhe faktori i aktivitetit fizik pasi gratë kanë punuar gjithnjë më shumë se burrat.

Sot, kjo situatë patriarkale në një pjesë të popullatës ka ndryshuar, por përsëri femrat, të paktën deri në një moshë të caktuar e kufizojnë ushqimin për arsye elegance apo “të ruajtjes së linjave”, ndërkohë përveç 8-orarëshit të punës, kryejnë edhe gjithë punët e shtëpisë.

Pra, sasia më e kufizuar e ushqimit te femrës dhe aktiviteti më i shumtë fizik i saj në krahasim me mashkullin, mund të jenë dy arsye bindëse që shpjegojnë edhe jetëgjatësinë disa vjet më shumë të gruas në krahasim me burrin, gjë që vërtetohet edhe nga të dhënat statistikore të jetëgjatësisë meshkuj-femra”./AgroWeb.org

*Rezarta Delisula është zëvendës-kryeredaktore e Gazetës Shqiptare dhe punon si gazetare që prej vitit 1998. Përgjatë karrierës profesionale 17 vjeçare, shkrimet e saj kanë prekur më së shumti çështjet sociale dhe problematikat mjedisore. E apasionuar pas produkteve organike dhe kultivimit të tyre, Rezarta është veçanërisht e interesuar për jetesën e gjelbër. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për AgroWeb.org.