Verëtaria 2015 – ™™Zotët™™ qenë bujarë

350 0

Shkak për të pritur kaq gjatë për të sjellë lajme nga verëtaria për vitin 2015, bëhet një fjalë e ditëve fundit të gushtit e presidentes së federatës italiane të vreshtarëve të pavarur, që kishte për qëllim frenimimin e çfarëdo lajmi mbi vjeljen e këtij viti derisa të arrihej në momentin kur prodhimi i verës së 2015-ës të fillonte hapat e parë në kantinë.

Ajo çka thotë kjo grua e mençur dhe energjike, siç e quan dikush që verëtarë ka njohur plot, të çojnë të bësh durim.

‘’Jo për të polemizuar, – thoshte ajo, por thjesht ngaqë na duket pa dobi të çojmë dëm kohë dhe energji për të bërë parashikime kur ekzistojnë akoma shumë elementë që mund të ndryshojnë’’. Sasia e verës por mbi të gjitha cilësia e saj janë të varura nga kushtet klimaterike deri në momentin e vjeljes së rrushit që në shumë zona të botës do të zgjasë gjithë tetorin, e në disa rastë deri në nëntor. ‘’Ne do të vazhdojmë dita ditës, – thotë Matilde Poggi, – duke u kthyer në zërin e shumë burrave e grave të verës në mbarë botën – vlerësimet mbi këtë vit pasi të kemi çuar të vjelat në kantinë, Vetëm atëherë do të kemi një bazë të sigurtë mbi të cilën të logjikojmë e po të jetë e rastit, do të mund të flitet për një vit të jashtëzakonshëm’’.

Pra pritëm dicka më tepër për të ofruar një vështrim mbi 2015-ën, në vendet historike e tradicionale të prodhimit të saj e në Shqipërinë e verëtarisë së brishtë, ku vreshti e prodhuesi vuan shumë të tjera përveç të papriturave të motit. E ndërkohë as ‘’nuk na zgjoi nga gjumi’’ e as na motivoi ndonjë deklaratë spontane nga ana e autoriteteve apo shoqatave të prodhuesve….ngazëllim apo preokupim qoftë.

Edhe këtë vit preferenca është të njohim situatën përmes vetë prodhuesve, të cilët edhe pse ndonjëherë të habitur që dikush interesohet janë përherë të disponueshëm, të paktën këta zotërinj të botës së verës që kanë kuptuar e ndarë me ne, shpirtin e këtij shkrimi. Edhe në vendin tonë, fatkeqësisht model për asnjërin sidomos në këtë sektor, duket të kete pasur buzeqeshje mes vreshtarëve e verëtarëve. Kontaktuam disa prej tyre gjendur në zona të ndryshme të vendit, me qëllim informimin mbi kushtet klimaterike të këtij viti dhe ndikimin e tyre në rezultatin e të vjelës e në prodhimin përfundimtar ndaj të cilit jemi shumë të ndjeshëm.

Një prodhues i verës Kallmet nga rrushi autokton me të njëjtën emër njëkohësisht anëtar i Konsorciumit të Vreshtarëve dhe Verëtarëve të Veriut, për ne tashmë një mik, na informon se pak a shumë në të gjithë zonën par excellence të kallmetit, që prek fshatra të Lezhës e Shkodrës, pjekja ka qenë normale dhe rrushi në përgjithësi i pastër edhe pse aty këtu në terrenet më zallore është preferuar të shyhet vjelja me disa ditë në mënyrë që të mundësohej pjekja e dëshiruar. Ky zotëri është i kënaqur e pozitiv e na flet për një rendiment (personalisht nuk di pse ky term më risjell në mendje ushtrime e problema nga shkolla fillore e së kaluarës komuniste lidhur me kooperativa, rendimente të larta, tejkalim plani etj) 80 % të kapacitetit optimal të parcelave të kultivuara kudo në zonë.

Nga Shqipëria e Mesme, aty ku autoktonët Shesh i zi e Shesh i bardhë, japin shpresë për të çuarit përpara të enologjisë shqiptare e jo në pak raste bëjnë të ndjehesh krenar për çka vihet në shishe, buzëqeshjet kanë ‘’çelur’’ që gjatë mesit të shtatorit, ‘’Rrushi është i shkëlqyer, duhet të vini në Kantinë të pimë e ta festojmë’’ ka qenë ftesa e një prodhuesi, tashmë një njohje e vjetër për ne e që është model për shumë, në sajë të filozofisë dhe punës së kryer deri tani në kantinë e me vetë kantinën.

Shesh i Zi, rrush autokton i Shqipërisë së mesme

Enologu i ri dhe i përkushtuar nga një kantinë beratase e aftë të prodhojë të bardha e të kuqe të sinqerta e karakteristike, na tregon se 2015 me plot gojë mund të quhet vit i mbarë. ‘’Ne iu gëzuam pa masë mungesës së shirave deri në korrik, – thotë Leventi, por edhe më tej vreshtat tona nuk u prekën nga shirat. Pjekja ka qenë ajo e duhur dhe mendoj se për sa i përket cilësisë të gjitha kantinat do të kenë regjistruar rekorde në librat e tyre. Edhe sasia ka qenë e mirë por jo në kurriz të cilësisë. Të paktën nga këto anë sasia ka qenë rreth 5 % më e madhe se vitin e kaluar. Puna intensive është shpërblyer në fund’’.

Një prodhues tjetër, nga zona e Korçës, të cilin patëm kënaqësinë ta dëgjojmë për herë të parë këtë vit, pasi na rikujton edhe njëherë të vërtetën e dhimbshme por jo dekurajuese se verëtaria shqiptare është në hapat e saj të para e se plot probleme takojnë cdo dite prodhuesit shqiptarë. Na thotë se nga anët e tij, sasia nuk ka qenë nga më të mirat e kohëvë të fundit por cilësia ka kënaqur. Na përgëzon për nismën e të shkruarit të këtyre rreshtave që ai konsideron mbështetje dhe na fton në kantinë.

Të kënaqur për rrushin e shëndetshëm thuajse kudo e të vetëdijshëm se përveç bujarisë së vetë stinës, kurfarrë zhvillimi i denjë për shënim nuk eshtë vënë re as këtë vit për sa i përket të ardhurit në ndihmë verëtarisë shqiptare, e si verëdashës, do të kemi për t’iu gëzuar, thjesht, verës se mirë realizuar aty këtu.

Në fakt, nga gadishulli përballë, parashikimet e përgjithshme të fillim shtatorit trumbetonin një rritje të përgjithshme të sasisë së vjeljes me 10% (krahina e Puglia-s preku rritjen më të madhe, 25 %) krahasuar me një vit më parë, u rikonfirmuan edhe përpara pak ditësh) falë një dimri të karakterizuar nga shira të bollshme e një pranvere të butë, që mundësuan një cikël vegjetativ ideal, pavarësisht pafundësisë së mikroklimave që i janë ‘’falur’’ Bel Paese-s.

Në Francë pas kushteve të shkëlqyera për zhvillimin e hardhisë përgjatë gjithë 2015-s, shirat në Shtator u kthyen në një sfidë për vjeljen e rrushit të kuq në zonën e Bordeaux-së por verëbërësit nuk kanë pushuar asnjëherë së qëni pozitivë. Shirat e regjistruara në Bordeaux deri nga fundi i shtatorit kanë qenë rreth tre herë ata të një viti më parë për të njëjtën periushë por gjithsesi bdrenda mesatares së shtatorit. Vreshti ka njohur një shëndet të plotë dhe cipat të trasha, shumica e prodhuesve raportuan se ka pasur shumë pak përhapja të kalbëzimit në terrenin e mirë-drenazhuar.

Sipas Bassile Tesseron i Chateau Lafon-Rochet në Saint Estephe, ‘’Aty nga mesi i shtatorit menduam se do të na duhej të vilnim më herët, por në fakt, me ndonjë përjashtim të vogël si në rastin e nja dy hardhive të reja rrushi merlot, vjelja do të mund të kryhet nga fundi i shtatorit, siç ishte planifikuar që më parë’’. Është një vit që premton të jetë i shkëlqyer, na kujton Tesseron nga fundi i shtatorit, por verëtari duhet të njohë mirë jo vetëm vreshtin por dhe kleckat e zanatit e duhet të jetë një profesionist i mirë kur vjen puna për të përveshur mëngët në kantinë.

Edhe nga rajoni legjendar Burgougne-ës, të gjitha lajmet janë të mira . Ndoshta nuk do të jetë një tjetër vit i shkëlqyer si 2003. Por na thonë se burgonjasit janë nga natyra shumë modestë e mundohen t’i evitojnë pohimet ekstravagante. Por duhet thënë se është shumë e mundur që të paktën në Côte d’Or, 20015 të jetë një vit me të vërtetë i mbarë. Prandaj filloni të kurseni që tani për të blerë këto verëra më pas, na fton me shaka një farë Andrew Jefford

Verëbërësit nga lugina e lumit Rhone kanë qenë po ashtu optimist që në ditët e para të tetorit që viti 2015 do të jetë një nga më të mirët ndër vite, edhe pse një nga varietetet më tipikë të zonës, Grenache, u ka luajtur me të vërtetë një ‘’luftë nervash’’.

Nga atdheu i të bardhave më fisnike, lajmi është se shirat e gushtit e ‘’shpëtuan’’ vjeljen e 2015-ës për Gjermaninë. Një prodhues nga krahina e Frankonisë shpjegon se një vere jashtëzakonisht e thatë, me gjithë shirat që çuan në një pjekje të vonshme, për vitin 2015 do të thotë më pak sasi dhe një gradë alkoolike më të lartë. A është ky një vit i mirë gjithsesi? ‘’Kundër gjithë pritshmërive, thotë ai, aroma është komplekse dhe po zhvillohet këndshëm në të gjithë ato verëra që tashmë e kanë kryer plotësisht fermentimin. Do të presim teksa rrinë më gjatë se zakonisht në prani të majave me qëllim një harmonizim më të mirë, e do të kuptojmë gjatë vinifikimit nëse 2015 është e thënë të jetë një vit i ‘’madh’’. 

Nga Kalifornia e largët, që gjithmonë e më tepër mundohet t’i shkëputet etiketimit ‘’Botë e re’’ e jo në pak raste mundohet të diktojë shije ndërkombëtare, vitet e fundit lajmet e fillimit të muajit nëntor, na mësojmë se rendimenti i ulët do të japë verëra shumë të përqendruara. Pranvera e hershme dhe e ngrohtë, bëri që për vitin 2015 Kalifornia të realizojë të korrat më të hershme të mijëvjeçarit të ri. Në shumë zona, koha e keqe gjatë fazës së lulëzimit rezultuar në grupe të shpartalluara të rrushit, duke bërë në mënyrë të pashmangshme që në fillim, rendimentin përfundimtar. Konsulenti Thomas Brown beson se verërat e viti 2015 do të jenë të afta të konkurrojnë ato të tepër të suksesshmit 2013. Verërat e këtij viti mund të jenë të pakta, por tepër joshëse për tu ndjekur gjithë dhjetëvjeçarin e ardhshëm e akoma më tej.

Në fund të fundit, ajo që kërkohet kudo është ekuilibri i duhur mes aciditetit, alkoolit, finesës e freskisë për të bardhat e për të kuqet, harmonia, struktura, kompleksiteti i aromave dhe aftësia për vjetërim të gjatë. E kur arrihet, asgjë nuk gëzon më shumë.

 

*Andi Qinami ka studiuar drejtësi në Universitetin e Barit dhe ka qenë anëtar i Dhomës kombëtare të avokatisë prej vitit 2009. Interesi për çështjet e kohës, të drejtën e Bashkimit Evropian, dhe pasioni për verën dhe distilatet e romanet historike e kanë shoqëruar gjatë gjithë eksperiencave me sektorin privat dhe atë publik brenda dhe jashtë vendit. Ka bashkëpunuar me të përjavshmen ‘’Klan’’ dhe është ideues i kategorisë Nunc est bibendum në bota.al. Ky artikull është shkruar posaçërisht për agroweb.org.