Vjen Brand Albania – Vula e Cilësisë së Vërtetë Shqiptare

683 0

Me aromë e shije Shqipërie. Me pasaportë cilësie. Me traditë e vlera. Bekimi që natyra i ka falur Shqipërisë do të ketë një emër, Brand Albania që do të thotë Produkt Cilësor Shqiptar.

Për herë të parë do të ketë një vulë garancie për produktet më cilësore nga i gjithë vendi.

Një trupë e çertifikuar do të përzgjedhë produktet më të mira dhe më origjinale kombëtare e do t’i pajisë ato me vulën e cilësisë, të dallueshme nga të gjithë.

Produktet cilësore shqiptare mbartin vlera unike, por vuajnë mbi kurriz një problem; imazhin jo të mirë dhe mbi të gjitha mungesën e promovimit.

Por një epokë e re do të nisë për agrobiznesin dhe agroturizmin nga themelet e shijes së vërtetë shqiptare.

Një Markë Kombëtare në Mbështetje të Agrobiznesit dhe Zhvillimit të Turizmit

USAID dhe Creative Business Solutions (CBS) prezantuan sot projektin Brand Albania në mbështetje të agrobiznesit dhe zhvillimit të turizmit në Shqipëri.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe Drejtuesja e Misionit të USAID në Shqipëri Catherine Johnson, diskutuan mbi rëndësinë e projektit dhe rolin e rëndësishëm të bujqësisë dhe turizmit në zhvillimin e ekonomisë shqiptare.

Brand Albania do të nxisë agro-turizmin përmes promovimit të gjithçkaje cilësore ndër më të mirat e produkteve shqiptare si vaji i ullirit, çaji i malit, bimët aromatike dhe medicinale, pasuri e rrallë e tokave shqiptare.

Drejtuesja e Misionit të USAID në Shqipëri, Dr Catherine Johnson vlerësoi se përmes këtij projekti nxitet njohja e vlerave të vërteta të produkteve autentike shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

Drejtuesja e Misionit të USAID në Shqipëri, Dr Catherine Johnson

Një nyjë e rëndësishme kjo, në ndërthurjen dhe zhvillimin e agro-turizmit në Shqipëri.

“Ne duam t’ju themi se sa shumë Bashkimi Evropian dhe tregjet ndërkombëtare i kërkojnë dhe i tërheqin produktet tradicionale, të cilat janë të certifikuara për cilësinë dhe standardet e tyre.

Pikërisht, ky projekt do të nxjerrë në pah këto cilësi për t’i promovuar produktet autentike shqiptare brenda dhe jashtë vendit.

Ne e dimë fort se sa e rëndësishme është bujqësia në Shqipëri dhe sigurisht prodhimet e saj.

Identifikimi i produkteve autentike, me cilësi të lartë dhe me standard të lartë gjithashtu do të sjellë një imazh pozitiv tërheqës për prodhimet e veçanta shqiptare.

Ky është një projekt unik i cili ndërthur bujqësinë dhe turizmin, dy sektorë që USAID prej kohësh po i mbështet fort dhe ku ne besojmë, për potencialin e madh që ato kanë. ” u shpreh Drejtuesja e Misionit të USAID në Shqipëri, Dr Catherine Johnson.

Për Herë Të Parë – Bujqësia dhe Turizmi Në Një Markë

Një mundësi të jashtëzakonshme për agro-turizmin shqiptar e cilësoi Ministri i Bujqësisë, z.Niko Peleshi projektin “Brand Albania”.

Ai tha se ky është një projekt i munguar prej kohësh dhe do të shërbejë si vula e identitetit të prodhimeve shqiptare, në nisjen e një rrugëtimi pa kthim drejt të ardhmes së produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

“Ky është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për sfidën e produkteve tipike të zonave tradicionale dhe vjen në kohën e duhur.

Një prodhim tipik mund të ketë një vlerë shumë të lartë por nëse nuk ka një brand apo markë vlera e tyre është disa fish më e ulët se sa vlera që në të vërtetë meritojnë” tha z.Peleshi.

Nga ana e tij, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Z.Blendi Klosi tha se objektivat janë të qarta dhe se të gjitha përpjekjet po shkojnë për një Shqipëri  me turizëm 12 mujor dhe një turizëm që shtrihet nga Veriu në Jug.

“Përpjekja e sotme, padyshim, nxit dhe promovon këtë përpjekje të përbashkët që të gjitha institucionet e këtij vendi kanë pranuar që Shqipëria duhet të jetë një destinacion turistik i diversifikuar që nuk aftrohet vetëm për 60 ditët e sezonit të turizmit por është një turizëm permanent” u shpreh Ministri Klosi.

Enio Jaço, Drejtor Ekzekutiv i CBS, diskutoi mbi mënyrat se si Brand Albania do të shërbejë si një platformë ndërlidhëse për të gjitha palët ekzistuese të interesit, si dhe për projektet në bujqësi, turizëm dhe agro-turizëm, duke shërbyer edhe si katalizator i agro-turizmit përmes promovimit të karakteristikave unike, cilësore dhe autentike të produkteve bujqësore të përzgjedhura shqiptare e duke i përdorur ato si ‘ambasadorë’ të turizmit.

“Projekti “Brand Albania” synon krijimin e një strukture apo mekanizmi, i cili do të promovojë produktet shqiptare duke u dhënë akses në tregjet e brendshme lokale dhe gjithashtu në tregjet ndërkombëtare. Ne mendojmë dhe besojmë se ky projekt do të rrisë gjithashtu edhe konkurrencën në sektorin e bujqësisë shqiptare.

Natyrisht që, ky mekanizëm do të jetë në përputhje me standardet e Komunitetit Evropian.

Detyrë e këtij projekti është të krijojë vizionin dhe modelin e biznesit që ky organizëm të funksionojë edhe pas projektit të USAID.

Qëllimi është krijimi i një projekti, vizioni i të cilit do të jetë i qendrueshëm edhe me kalimin e kohës” u shpreh z.Jaço.

Projekti do të krijojë një markë të unifikuar të produkteve bujqësore shqiptare dhe integrimin e tyre në nisma për turizmin.

Shtatë institucione publike dhe private do të bashkërendojnë punën për të zbatuar me sukses Projektin Brand Albania.

Partnerët kryesorë si anëtarë të Komitetit Drejtues në Projekt janë Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Shoqata Shqiptare e Turizmit, Dretoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës.

Made In Albania Nuk Mjafton

A e dini sa pak ia njohin vlerat çajit të malit shqiptar? Po vajit shqiptar ekstra të virgjër nga ullinjtë tanë shekullorë? Po bimëve medicinale?

Dhe jo sepse nuk kanë vlera. Shpesh ato tregëtohen si produkte jo shqiptare, sepse shiten më shumë në Evropë nëse mbajnë markën e një shteti tjetër.

Por Brand Albania do të jetë garanci për konsumatorët vendas e të huaj, duke i dhënë Shqipërisë imazhin e vërtetë të vendit të produkteve cilësore bujqësore dhe një destinacion fantastik për agro-turizëm.

Përmes lidhjes së zonave turistike me produktet autoktone të këtyre zonave, Brand Albania do të japë informacion të saktë mbi origjinën dhe cilësinë e produkteve.

Brand Albania do të jetë një mbështetëse për fermerët duke i nxitur ata të prodhojnë sa më shumë produkte cilësore e duke fuqizuar bizneset e tyre.

Një markë e vetme kombëtare që do t’i japë produkteve më të mira shqiptare vlerën për të qenë ambasadore të denja të turizmit./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.