Vlerat Fantastike të Qumështit të Arrorëve

829 0

Vlerat ushqimore të qumështit me bazë bimore varen thellësisht nga bima, përpunimi dhe pasurimi i saj, thotë një studim ndërkombëtar i kohëve të fundit. Lajmi i mirë është që, sipas të njëjtit studim qumështi me bazë bimore, apo qumështi i arrorëve mund të jetë një alternativë e shkëlqyer e qumështit të lopës. Mjafton të dish atë që po kërkon.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të flasim për qumështin e arrorëve. Rregullat bazë për përzgjedhjen e qumështit arror, nëse do ta blini në market, janë dy: blini variantin e pa ëmbëlsuar dhe gjithnjë të ruajtur në frigorifer.

Qumështi arror që ruhet në rafte të thjeshta marketi, nënkupton praninë e më shumë konservantëve dhe përbërësve artificialë. Nëse nuk dëshironi të blini produkte në treg, atëherë ju sugjerojmë ta përgatisni vetë qumështin. Kur bëhet në shtëpi, qumështi arror është i freskët dhe shumë herë më i pasur me vlera.

AgroWeb.org do t’ju tregojë më shumë për vlerat shëndetsore të secilit qumësht dhe mënyrat se si duhet t’i përgatisni në shtëpi.

Qumështi i arrës së kokosit


Është qumështi më i mirë për yndyrna të shëndetshme. Mos e ngatërroni me qumështin e paketuar që gjendet në treg dhe që përdoret për ëmbëlsira. Qumështi i vërtetë i arrës së kokosit është një zëvëndësues i denjë i produkteve të bulmetit për ata që vuajnë nga intoleranca ndaj laktozës.

Qumështi i arrës së kokosit përmban yndyrna, por kryesisht acide yndyrore të ngopura në nivel mesatar. Produktet më popullore të qumështit të pa ëmbëlsuar të arrës së kokosit nuk përmbajnë sheqerna të shtuar, por të njëjtën sasi kalciumi si qumështi i produkteve shtazore. Ai është një burim i shkëlqyer i vitaminës D. Në një gotë me qumësht të arrës së kokosit gjeni 45% të dozës së rekomanduar ditore të kësaj vitamine.

Qumështi i lajthisë

Është i shëndetshëm dhe kremoz. Kur të pini qumështin e lajthisë do ndiheni të përkëdhelur dhe të llastuar, falë shijes së tij. Ky qumësht është shumë i shëndetshëm. Një gotë e këtij qumështi përmban 10 përqind të dozës së rekomanduar të vitaminës A dhe E, 30% të dozës së rekomanduar ditore të kalciumit dhe 25 përqind të dozës së rekomanduar ditore të vitaminës D. Në një gotë qumësht lajthie gjenden 2 gramë proteina.

Qumështi i bajames

Është shumë i mirë për rënien në peshë. Ky qumësht i ëmbël arror përmban më pak se gjysmën e kalorive që gjenden tek qumështi i skremuar i lopës (vetëm 30 kalori në një gotë), por edhe zero kolesterol dhe pak yndyrna të ngopura. Shumica e llojeve të qumështit të bajames janë të pasuruara me vitamina dhe ushqyes.

Në një gotë do të gjeni doza të larta të kalciumit, vitaminës D dhe B12. Sigurohuni të lexoni etiketën dhe zgjidhni gjithnjë varietetet e pasheqerosura.

Qumështi i shqemes ose arrave indiane apo braziliane
Është qumështi më i mirë për ata që kanë nevojë për doza të larta proteinash, veçanërisht kur bëhet në shtëpi. Lajmi i mirë për qumështin e shqemes është se përgatitet shumë lehtë. Duke qenë se shqemet kanë tendencën të bëhen kremoze kur mbahen në ujë gjatë natës, atëherë nuk keni nevojë të shtrydhni kokrrat, siç mund të bëni në variantet e arrorëve të tjerë.

Me shqemen, ju duhet thjesht një mikser. Në aspektin e proteinave, qumështi i shqemes është në rradhët e fituesve. Nëse përdorni një gotë qumësht me shqeme, do të përfitoni 18 gramë proteina. Ndërkohë, varianti i paketuar ofron vetëm një gramë proteina.

Megjithatë në treg gjenden disa lloje të qumështit të paketuar të sheqemes që përmbajnë të njëjtat vlera ushqimore si qumështi i bajames apo ai i arrës së kokosit, duke qenë se këto paketime janë të pasuruar me kalcium, vitaminë D dhe B12.

Si të përgatisni qumështin arror

Përbërësit:
• 1 gotë me arrorë jo të kriposur (lajthi, bajame, arra braziljane, shqeme, etj)
• 2-3 gota me ujë për t’i futur arrorët
• 4 gota ujë për përzierjen

Udhëzimet:
1. Zhysni arrorët në një enë ku keni hedhur dy ose 3 gota ujë. Mbajini gjatë gjithë natës.
2. Kullojini dhe hidheni ujin
3. Në një mikser përzieni arrat e zbutura dhe ujin nga gotat e lëna mënjanë.
4. Kullojeni lëngun e përftuar me një napë të veçantë e të hollë nga e cila do të mund të shtrydhni sa më shumë qumësht.
5. Lëngun futeni në frigorifer dhe mbajeni për 3 deri në 4 ditë./AgroWeb.org