Zgjedhjet Vendore 2015 – Kandidatët e Tiranës mbi Planet për Bujqësinë

289 0

 

Bujqësia është sot temë e nxehtë e debatit politik pasi gjysma e popullsisë punon në këtë sektor. Ndarja e re territoriale me 61 Bashki ndryshon kufijtë qytet-fshat duke krijuar një vizion më gjithpërfshirës dhe jo të copëzuar. Sa efikas do të jetë?  

Për herë të parë tre nga kandidatet për Bashkinë e Madhe të Tiranës prezantojnë ekskluzivisht në agroweb programin e tyre për zhvillimin e bujqësisë. 

 

 

Prioriteti kryesor do të jetë integrimi i gjithë territorit të Bashkisë në një ekonomi dhe treg unik që ofron mundësi për zhvillim ekonomik dhe mirëqënien e qytetarëve. Përmbushja e këtij qëllimi kërkon së pari zhvillimin e infrastrukturës së transportit, ekonomike dhe të informacionit.

Hartimi i planit për zhvillimin ekonomik të zonës ekstraurbane të Bashkisë kërkon një studim të specializuar, që përfshin aspektet ekonomike dhe ato të zhvillimit demografik, social dhe të menaxhimit e zhvillimit të territorit. Realizimi i këtij plani gjithëpërfshirës do të nisë me fillimin e mandatit qeverisës.

Prioriteti kryesor – integrimi i territorit të Bashkisë në një ekonomi dhe treg unik që ofron mundësi për zhvillim ekonomik dhe mirëqënien e qytetarëve.

Në kushtet e mungesës së këtij plani, masat kryesore që kemi planifikuar janë:

Infrastruktura e transportit

Investimi në infrastrukturën rrugore midis qëndrave të banuara dhe qytetit të Tiranës.

Shtrirja brenda dy viteve të para të shërbimit të transportit publik në gjithë territorin e Bashkisë

Infrastruktura ekonomike

Ndërtimi i dy qëndrave bashkiake për grumbullimin e produkteve bujqësore brenda dy viteve të parë. Plotësimi i tyre me kapacitete frigoriferike brenda katër viteve.

Tregjet publike fshatare në qytetin e Tiranës do të rezervojnë 30 përqind të hapësirës për produktet e Bashkisë Tiranë. Sistemi i tregtimit me rotacion në ditë të ndryshme bazuar në origjinën/fshatin/fermën/produktin.

Moslejimi i shitjes së produkteve bujqësore dhe blegtorale në hapësirat publike të paautorizuara, përfshi trotuaret dhe sheshet e qytetit.

Infrastruktura e informacionit

Krijimi i kadastrës bujqësore ku do të regjistrohen parcelat bujqësore, kulturat shumëvjecare dhe sezonale.

Krjimi i databazës blegtorale ku do të regjistrohen dhe mbahen kartelat për bagëtinë.

Krijimi i një platforme elektronike shkëmbimi informacioni mbi prodhimet bujqësore e blegtorale të disponueshme që do të ofrojë të dhëna mbi prodhuesit respektivë, sasitë dhe çmimet.

Asistencë teknike

Riorganizimi i sistemit të asistencës agronomike dhe veterinare do të përfshijë shtimin e numrit të specialistëve, përmirësimin e përgjegjësive të tyre, trajnimin e vazhdueshëm, prezantimin e teknologjisë së informacionit në ofrimin dhe koordinimin e shërbimeve në çdo kohë, në të gjithë territorin.

Ndërhyrje të zgjedhura specifike

a) Përmirësimi i administrimit të infrastrukturës ujitje-kullim

Mbledhja nga Bashkia e tarifës (500 lekë/sezon/ dynym) nga çdo përdorues nga sistemi i ujitjes dhe do të sigurojë mirëmbajtjen dhe funksionimin e kanaleve ujitëse të rrjeteve egzistues.

Mirëmbajtja e rrjetit sekondar dhe terciar kullues.

b) Pyllëzimi

Do të investohen rreth 300 mijë euro/ vit në pyllëzim. Do të pyllëzohen 500 hektarë të reja. Do të përmirësohen 200 hektarë kullota.

 

 

Tirana nën drejtimin e Kryebashkiakut Halim Kosova do të drejtohet sipas një vizioni gjithëpërfshirës duke zbatuar parimin “një qytet – një standard” në të gjitha fushat e mbuluara nga Bashkia, për të gjithë territorin urban dhe rural të saj. Një nën-Kryetar i Bashkisë do t’i dedikohet vetëm problematikave dhe potencialeve rurale dhe bujqësore. Të gjithë planet e territorit do të integrohen në një plan zhvillimor të vetëm sipas mekanizmit “zhblloko–aktivizo–integro”: çbllokim të potencialeve e të korridoreve gjeografike duke valorizuar asetet e nënvlerësuara dhe integruar gjithçka në një rrjet unik transporti ku konsumatorët afrohen sa më shumë me ofruesit e shërbimeve turistike e bujqësore rurale.

Drejtim i Bashkisë sipas një vizioni gjithëpërfshirës, bazuar në parimin “një qytet – një standard” në të gjitha fushat e punës.

Taksat apo proçedurat administrative do të lehtësohen për fermerët duke ofruar paralelisht trajnime dhe çertifikime për to, që agro-turizmi të promovohet dhe më tej. Përfshirja e fermerëve për herë të parë në skemën financiare të Bashkisë Tiranë (rreth 15 milionë euro) do të jetë një incentiv i rëndësishëm për të fuqizuar këtë dinamikë në mbështetje të punësimit në të gjithë territorin. Bashkia do të zbatojë një politikë fiskale transparente e të balancuar për territoret me nivel të ndryshëm ekonomik.

Bashkia do të mbështesë shitjen e produkteve lokale nëpërmjet një promovimi më cilësor, falë krijimit të pikave të grumbullimit për të gjithë territorin, tregjeve të lëvizshëm apo dhe tregjeve lokale për fermerë të grupuar sipas zonave, duke rritur standartet e higjenës si dhe duke fuqizuar karakterin e tyre tradicional si destinacion turistik. Një risi në këtë drejtim do të jetë mbështetja në promovimin dhe blerjen e produkteve bujqësore lokale nga rrjetet e restoranteve apo mencave publike dhe private në Tiranë (çerdhe etj.) duke ndihmuar direkt zhvillimin e ekonomisë lokale.

Bashkia e re Tiranë do të ofrojë zyra dhe një staf profesionist në shërbim dhe sa më afër familjeve, fermerëve e bizneseve rurale, pa harruar shkollat dhe qëndrat shëndetësore që do të ndjekin gjithmonë parimin “një qytet – një standard”. Administrata bashkiake do të ofrojë mbështetje juridike falas për banorët që kanë probleme me pronat, duke stimuluar në veçanti lejet e ndërtimit për aktivitete bujqësore e agro-turizmi. Të gjitha rrugët kryesore që lidhin fshatrat me qytetin do të jenë të asfaltuara, ashtu si të gjitha qëndrat e fshatrave do të jenë të ndriçuara dhe të integruara me rrjetin unik të grumbullimit të plehrave të qytetit të Tiranës. Investime do të ketë dhe në rehabilitimin e sistemit ujitës të tokave bujqësore si një element themelor për ekonominë rurale.

 

 

Ndonëse kanë avantazhin e të qenit fare pranë Tiranës, fermerët e Tiranës hasin vështirësi të shumta përsa i përket prodhimit në mënyrë eficiente dhe aksesit në treg. Toka bujqësore është copëzuar në ngastra të vogla dhe mungojnë strukturat orientuese duke bërë që fermerët të vendosin pa pasur informacionin e nevojshëm. Mungesa e pikave të grumbullimit dhe e infrastrukturës transportuese rrit ndjeshëm kostot e produkteve, ndërsa fragmentimi i parcelave bën që fermerët ta kenë të pamundur të përfitojnë nga shërbimet e agronomisë dhe veterinarisë çka ndikon drejtpërdrejtë në cilësinë e prodhimit. Një problem akoma më i madh është mosmirëmbajtja thuajse njëzet vjeçare e sistemeve të vaditjes dhe kullimit çka e vështirëson shumë procesin e prodhimit.

Do të angazhohemi të zhvillojmë dhe modernizojmë ekonominë rurale duke garantuar infrastrukturë prodhimi dhe treg për fermerët dhe produkte cilësore për konsumatorët.

Angazhimi ynë

Zhvillojmë dhe modernizojmë ekonominë rurale duke garantuar infrastrukturë prodhimi dhe treg për fermerët dhe produkte cilësore për konsumatorët.

Zotimet tona

  • Rikonceptim i shpërndarjes gjeografike dhe organizimit të tregjeve;
  • Përcaktim i zonave për tregje të përhershme dhe i zonave për tregje të përkohshme dhe ditore;
  • Zbatim i politikës “km 0” me synim përcaktimin e pozicioneve specifike të tregjeve pranë zonave të prodhimit;
  • Program ndërhyrjeje për vendosjen në punë të sistemit të vaditjes dhe kullimit në territorin e Bashkisë së Tiranës;
  • Koordinim dhe ndërmjetësim në ekonominë rurale për të reduktuar fragmentarizmin e tokës bujqësore dhe rritjen e produktivitetit;
  • Ngritja e Qendrës së Agronomisë dhe Veterinarisë pranë Bashkisë së Tiranës për të ndihmuar e orientuar fermerët;
  • Ngritja e Qendrës së Këshillimit dhe Mbështetjes së Zonave Rurale për të ofruar asistencë teknike dhe grante për fermerët;
  • Ndërtim i pikave të grumbullimit të prodhimeve bujqësore e blegtorale përmes skemave të Partneriteteve Publike Private;
  • Ofrojmë incentiva për fermat dhe bizneset agro-bujqësore për të zhvilluar agro-turizmin.

Shënim i Redaksisë: Renditja e kandidatëve është kryer sipas rendit alfabetik, bazuar në shkronjën e parë të mbiemrit.

Ndiqni debatin në kohë reale në Facebook.