Kos i Kulluar për Stomakun, Osteoporozën dhe Tensionin e Gjakut

5k 0

Kosi është një nga ushqimet që nuk mungon kurrë në frigoriferin e një amvise shqiptare.

Shumë amvisa e zënë kosin vetë një herë në dy ose tre ditë për t’u siguruar që ky produkt nuk do të mungojë asnjëherë.

Kosi është një produkt mirëbërës për të rritur dhe për fëmijë.

Ai prodhohet nga fermentimi i qumështit dhe është i pasur me proteina, kalçium, vitaminë B6, B12 dhe probiotikë.

Kosi i zënë në shtëpi është më i hollë se ai i industrializuar, megjithatë ai mund të kullohet duke ofruar një kos më të trashë dhe të përqendruar në vlera.

Më poshtë do të gjeni një mënyrë shumë të thjeshtë dhe praktike për përgatitjen e kosit të kulluar në kushtet e shtëpisë.

Ju mund të merrni kosin e zënë, ta hidhni nëpër napa të pastra duke u dhënë formën e trastës dhe t’i lini të kullojnë për 10-12 orë.

Kjo është një mënyrë e ngjashme me atë të përgatitjes së salcës së kosit e cila pasurohet më pas me kripë, vaj ulliri, arra ose majdanoz.

Kosi i kulluar është shumë i trashë dhe i dendur.

Përgatitja:

Marrim kosin dhe e transferojmë në një napë të pastër të cilës i japim formën e një traste të thjeshtë.

Trasta varet në një vend të caktuar në kuzhinë dhe lihet të kullojë për 12 orë. Vendosni një enë poshtë nëse nuk keni një vend ku të rrjedhë lëngu.

Pasi kosi ka kulluar plotësisht, hapeni trastën e napës dhe hidheni masën e përqendruar të kosit në një enë qelqi.

Kosi duhet ngrënë rregullisht sepse ofron një larmi vlerash shëndetësore të cilat i gjeni më poshtë.

Shëndeti i Stomakut

Kulturat e gjalla tek kosi janë efikase kundër konstipacionit, diaresë, inflamacionit të zorrëve, kancerit të zorrës së trashë e të tjerë.

Këto probiotikë përforcojnë imunitetin dhe mbrojnë stomakun nga infeksionet.

Osteoporoza

Brishtësia e kockave vjen si pasojë e ndryshimeve hormonale dhe mungesës së vitaminave D dhe kalçiumit.

Kosi është i pasur me kalçium dhe konsumimi i rregullt i tij përmirëson strukturën e kockave.

Tensioni i Gjakut

Studimet kanë konfirmuar se produktet e bulmetit kanë aftësinë të rregullojnë tensionin e gjakut.

Me sasinë e duhur të produkteve me pak yndyrë, rreziku i tensionit të lartë të gjakut bie me 50 përqind.

Pesha

Kosi është ideal për të kufizuar kaloritë. Ai shuan urinë dhe nepsin për ushqime të ëmbla.

Pasi përthithet, kalçiumi nga kosi ndikon që qelizat e yndyrës të ulin prodhimin e kortizolit ndërkohë që amino acidet djegin yndyrën e tepërt.

Rekomandimet gjithnjë vlejnë për kosin me pak yndyrë. /AgroWeb.org