Mjaltë me Bajame – Kombinimi i Fuqishëm për Uljen e Kolesterolit

3.8k 0

Një nga ëmbëlsirat më të shijshme natyrale gjendet padyshim në kombinimin e mjaltit me bajamet.

Këto të fundit përzihen natyralisht me nektarin e ëmbël të mjaltit ndërkohë që mjalti përthith dhe përvetëson shijen arrore të patjetërsueshme të bajames.

Nëse konsumoni një lugë me bajame të përzier me mjaltë, AgroWeb.org ju siguron se i keni dhuruar vetes një formulë të shëndetshme për të rritur imunitetin dhe luftuar kolesterolin e keq.

Mjaltë Me Bajame Për Uljen e Kolesterolit

Studimet të cilave u referohet AgroWeb.org thonë se kombinimi i mjaltit me bajame e mbron zemrën nga sëmundjet.

Kjo nuk do të thotë që në të mirë të zemrës të mbaroni një kavanoz të tërë brenda ditës.

Sipas ekspertëve, mjalti me bajamet duhen përfshirë me  kujdes dhe ngadalë në regjimin tuaj ushqimor që të shmangni shtimin në peshë.

Ekspertët e Universitetit të Illinoisit kanë zbuluar se mjalti përmban të njëjtin nivel antioksidantësh si shumë prej frutave dhe perimeve si spinaqi, mollët, bananet, portokallet dhe luleshtrydhet.

Për të përfituar këtë sasi antioksidantësh, natyrshëm dikush mund të mendojë se duhet ngrënë një sasi të madhe mjalti.

Kjo nuk është domosdoshmërish e vërtetë.

Mjaltin mund ta konsumoni në sasi të vogla por në mënyrë të rregullt që të ulni nivelet e kolesterolit dhe të mbroni zemrën.

Një mënyrë e thjeshtë është që mjaltin ta përdorni në vend të sheqerit, thonë ekspertët.

Një mënyrë tjetër është të tresni mjaltin në ujë.

Ju mund të tresni 4 lugë mjaltë në gjysmë litri ujë dhe kësisoj të rrisni nivelin e antioksidantëve në gjak.

Për më tepër, krahas mjaltit, për uljen e kolesterolit ju mund të konsumoni bajame.

Sipas ekspertëve, ngrënia e një deri në dy grushte me bajame në ditë ndihmon në uljen afatgjatë të kolesterolit me 4.4 deri në 9.4 përqind.

E mira e bajameve dhe mjaltit është se ulin kolesterolin e keq por nuk ndikojnë tek ai i miri.

E fundit por jo nga rëndësia, është se bajamet edhe mjalti nuk duhen shtuar në regjimin tuaj ushqimor nëse ky i fundit është tashmë i pasur në yndyrna dhe kalori.

Ato duhen përdorur si zëvendësues pra mjalti në vend të sheqerit dhe bajamet në vend të ndonjë ushqimi të pasur me kalori dhe yndyrna./AgroWeb.org