Sekreti i Dobësimit – Dy Gota Ujë Përpara Vakteve

2.4k 0

Humbja nga pesha kërkon një angazhim serioz ndaj një stili të shëndetshëm jetese.

Ushqyerja e shëndetshme, aktiviteti fizik, gjumi dhe uji, këto janë shtyllat kryesore të misionit për të rënë nga pesha.

Uji, sidomos në verë, është zgjedhja më e mirë ndaj pijeve të tjera plot kalori apo sheqer që serviren në dyqane e bare.

Uji është thelbësor për funksionin e trurit, organeve, metabolizmin e pastrimin e organizmit.

Kur vjen puna tek uji, këshilla kryesore që dëgjojmë është që të “pimë shumë ujë në ditë.”

Megjithatë, sa shumë është shumë?

Për disa njerëz, sasia standarde e ujit është 8 gota në ditë, ka të tjerë që kanë nevojë për më shumë e disa të tjerë për më pak.

Sa Ujë Ju Duhet Që Të Humbisni Në Peshë

Ekspertët theksojnë se çdo njeri ka nevoja të ndryshme.

Rregulli i përgjithshëm është që 8 gota ujë në ditë mund të mjaftojnë madje të përmirësojnë rënien nga pesha.

Kur e lexon, tetë gota me ujë të duket pak, madje aspak problematike për tu arrirë.

Këtu qëndron sfida e vërtetë.

Janë të shumtë ata që nuk arrijnë të pinë as 4 gota në ditë, madje ka njerëz që ujin e pinë rrallë e për mall.

Ekspertët thonë se etja duhet t’ju udhëheqë në këtë pikë.

Nëse keni pirë 8 gota me ujë dhe keni sërish etje, atëherë bindjuni asaj.

Por nëse etja juaj është e shuar nuk ka nevojë ta teproni me ujin.

Kjo e fundit mund të shkaktojë hiponatremi ose intoksikim nga uji.

Në këtë pikë sodiumi në trup tretet aq shumë sa mund të shkaktojë ënjtje në tru dhe komë.

Nëse Kryeni Aktivitet Fizik

Njerëzit që kryejnë aktivitet fizik duhet të pinë më shumë se 8 gota ujë, sidomos pasi kanë djersirë shumë.

Përpara nisjes së aktivitetit, ekspertët rekomandojnë pirjen e një gjysme ose një gote të tërë me ujë dhe dy gotave të tjera pas stërvitjes.

Nëse Jeni Mbipeshë

Nevojat për ujë të njerëzve obezë dhe mbipeshë janë të ndryshme.

Ata kanë nevojë për më shumë ujë që të hidratohen dhe të humbasin në peshë.

Formula është e tillë: nëse ju peshoni 80 kilogramë, atëherë duhet të pini 2.6 litra ujë në ditë.

Ekspertët thonë se njerëzit që pinë dy gota ujë përpara vaktit humbasin më shumë kilogramë se ata që nuk pinë ujë. /AgroWeb.org