Të Mirat e Veçanta të Mjaltit të Tërfilit Shqiptar

1k 0

Mjalti i tërfilit është një nga produktet më të shëndetshme për njeriun. Pasi bletët ushqehen vetëm me nektarin e ëmbël të kësaj bime, ato prodhojnë një mjaltë shumë të shëndetshëm. Në një lugë me mjaltë tërfili gjenden 64 kalori. Ky mjaltë përmban proteina në sasi të kufizuara, kalium, hekur dhe vitaminë B. Ai përmban gjithashtu edhe antioksidantë që luftojnë radikalet e lira dhe disa sëmundje.

Shqipëria ka plot lëndina dhe livadhe të mbushura me tërfil dhe kjo bimësi ofron një mjedis ideal për bletët dhe mjaltin që përftohet prej tyre. Vendi ynë ofron kushte klimatike ideale dhe një florë të shumëllojshme lulesh dhe si rrjedhim shumë lloje mjalti. AgroWeb do të sjellë sot të veçantat e mjaltit të tërfilit si një nga më të vjetrit në Mesdhe dhe Ballkan.

Në lashtësi, Hipokrati babai i mjekësisë perëndimore, e përmendte mjaltin e tërfillit për vlerat e shumta shëndetësore. Ky mjaltë përdoret për shërimin e plagëve si dhe mirëmbajtjen e shikimit. Nëse kombinohet me limonin, mjalti i tërfilit përdoret për fytin dhe problemet që shkaktohen nga gripi dhe të ftohtit. Ai ndihmon edhe në përmirësimin e tretjes dhe jep energji.

Lexoni më poshtë vlerat shëndetësore të mjaltit të tërfilit.

1. Shëron plagët

Efektet e mjaltit për shërimin e plagëve janë të njohura. Mjalti luan rol të fuqishëm kundër baktereve duke shëruar plagët. Mjalti i tërfilit ka një përmbajtje të ulët ujore dhe aciditeti. Prania e kaliumit, hekurit, bakrit dhe vitaminës C përshpejton proçesin e shërimit. Ai gjithashtu ndihmon antibiotikët të luftojnë edhe bakteret më kryeneçe.

2. Përmban shumë antioksidantë

Mjalti i ëmbël i tërfilit përmban shumë antioksidantë. Ndihmon në uljen e nivelit të oksidimit të lipoproteinave, gjë që parandalon zhvillimin e aterosklerozës. Ngrohja e tepërt e mjaltit të tërfilit mund t’ia shkatërrojë vlerat, ndaj atë duhet ta ruani në një enë të izoluar mirë dhe në temperaturë të përshtatshme. Mjalti i tërfilit është i pasur me antioksidantë dhe vitamina. Nuk është e këshillueshme që ky mjaltë të konsumohet nga fëmijët nën moshën 1 vjeçare sepse mund të shkaktojë alergji, të cilat fëmija do t’i shfaqë më tej.

3. Rregullon tensionin e gjakut

Doza ditore prej 1 deri në 2 lugë çaji me mjaltë tërfili e marrë në mëngjes, ndihmon në uljen e tensionit të gjakut. Përfitimet që sjell ky mjaltë mund të shumëfishohen nëse mbani një dietë të mirë ushqimore dhe stërviteni rregullisht.

4. Kundër djegieve

Mjalti ndihmon për të parandaluar infeksionin, dhe shëruar të djegurat shumë shpejt. Ky mjaltë fuqizon kapilarët e rinj të gjakut dhe indet lidhore. Ai lufton bakteret dhe inflamacionin.

5. Kuron problemet me mëlçinë

Konsumoni 1 deri në 2 lugë gjelle me mjaltë tërfili rregullisht për të zgjidhur problemet me mëlçinë. Një metodë e tillë ndihmon dhe përmirëson edhe lëvizjet e zorrëve.

6. Ndihmon rimëkëmbjen nga sëmundjet

Njerëzit që po rimëkëmben nga një sëmundje ose janë në një dietë strikte për tu mbrojtur nga infeksionet dhe bakteret duhet të konsumojnë mjaltin e tërfillit.

7. Ul kolesterolin e keq

Mjalti i tërfilit ndihmon në eliminimin e kolesterolit të keq. Ai parandalon aterosklerozën që shkaktohet nga akumulimi i tepërt i kolesterolit të keq në enët e gjakut. Ky mjaltë lufton sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru.

8. Ndalon kollën

Mjalti i tërfillit hollon sekrecionet e mushkërive dhe ndalon kollën. Përzieni një lugë çaji me mjaltë tërfili në ujë të vakët dhe lëng limoni. Këtë mund t’ia jepni fëmijëve të gruposhës 2-4 vjeç që vuajnë nga kolla. Kjo përzierje ka shije të mirë dhe është e pranueshme për ta.

9. Ëmbëlsirë natyrale për fëmijët

Mjalti përmban sheqerna të mirë që treten lehtë dhe japin energji që nuk është e dëmshme. Duke qenë se ky mjaltë tretet lehtë, ai përbën një ëmbëlsues natyral për fëmijët.

10. Kundër plakjes

Antioksidantët që gjenden tek mjalti i tërfilit ruajnë qelizat të shëndetshme dhe i mbrojnë ato nga dëmet e ndryshme. Duke qenë se ky mjaltë lufton inflamacionin, ai arrin të mbrojë qelizat nga efektet e plakjes.

Tregoni kujdes

Përdorimi i mjaltit të tërfilit kërkon kujdes. Ai i freskëti kristalizohet shpejt. Ky mjaltë nuk duhet ngrohur shumë sepse nxehja shkatërron vlerat shëndetësore.

Sugjerime

Falë vlerave kundër inflamacionit, plakjes, oksidimit dhe baktereve, ky është një produkt i jashtëzakonshëm me të cilin duhet të nisni ditën. Mjalti i tërfilit tretet lehtë dhe nëse merret çdo ditë ai mbron nga rreziqet e shfaqjes së aterosklerozës dhe goditjeve në tru./AgroWeb.org