Si të Ulni Tensionin e Lartë të Gjakut pa Përdorur Ilaçe

4.7k 0

Një ndër kërcënimet më serioze të shëndetit është pa dyshim presioni i lartë i gjakut.

Kjo gjendje mund t’i sjellë trupit një sërë sëmundjesh dhe efektesh anësore shumë shqetësuese.

Zhvillohet kur muret e arterieve të mëdha humbasin elasticitetin e tyre dhe ngurtësohen apo kur enët e gjakut ngushtohen.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik,  niveli i vdekshmërisë në vend nga sëmundje të cilat shkaktohen prej hipertensionit është rritur në Shqipëri gjatë viteve të fundit.

Kjo përkthehet me 36% të grupmoshave nga mosha 25 vjeç e sipër ku burrat janë më të prekurit.

Ndër shkaktarët kryesorë në majën e listës, renditet stili i jetesës dhe kryesisht e ngrëna jo e shëndetshme.

Në këtë artikull nga AgroWeb.org ju shpjegojmë disa nga këshillat më të mira për ta trajtuar këtë gjendje pa përdorur mediakamente.

Si të Ulni Presionin e Lartë të Gjakut

Duke qënë se ky problem shfaqet veçanërisht nga stili i jetesës, ndryshimet e para sigurisht që do të fillojnë nga aty.

Sipas këshillave të ISHP të cilit i referohet AgroWeb.org, vetëm me gjashtë hapa të thjeshtë mund të arrini ta shmangni dhe përmirësoni këtë problem.

Kontrolloni Peshën

Mbajtja e peshës së duhur është gjithnjë thelbësore për parandalimin e hipertensionit.

Ekspertët thonë se 50% – 90% e presionit të lartë të gjakut mund të evitohet me një stil të shëndetshëm jetese.

Mbipesha rrit ndjeshëm presionin e lartë të gjakut ndaj nëse jeni obezë duhet të dobësoheni të paktën 10% të masës tuaj trupore.

Sa më shumë të dobësoheni aq më shumë do të bjerë presioni i lartë i gjakut duke evituar një sërë sëmundjesh të tjera.

Konsumoni më Pak Kripë

Reduktimi i sasisë së kripës që konsumoni çdo ditë është një tjetër element kyç në trajtimin e sëmundjes.

Kjo pasi konsumimi i tepërt i kripës rrit presionin e gjakut.

Ekspertët rekomandojnë produktet që kanë më pak se 0.25gr kripë për 100 gr.

Evitoni Alkoolin

Përveçse dëmton mëlçinë dhe zemrën, konsumimi i sasive të mëdha të alkolit mund të çojë edhe në shfaqjen e hipertensionit.

Sipas ekspertëve personat që konsumojnë një gotë alkol në ditë, kanë 53% më shumë mundësi të preken nga hipertensioni.

Mundohuni ta evitoni atë sa më shumë të jetë e mundur, pasi është një rrezik për shëndetin e të gjithë organizmit.

Konsumoni më Shumë Fruta dhe Perime

Nëse konsumoni 5 ose më shumë fruta dhe perime në ditë do të jeni larg zonës së rrezikut.

Frutat dhe perimet janë ndër ndihmësit më të mirë për të ulur presionin e lartë të gjakut.

Gjithnjë kini parasysh t’i zgjidhni ato të freskëta dhe të stinës.

Jini Aktivë

Aktiviteti fizik është zgjidhja për shumë sëmundje, ashtu edhe për presionin e lartë të gjakut.

Mjekët rekomandojnë kryerjen e aktivitetit fizik çdo ditë, me të paktën 30 minuta ose 5 herë në javë.

Kjo mënyrë do të ndihmojë në uljen e presionit të gjakut në trupin tuaj, gjithashtu do të ulë edhe peshën e tepërt.

Këshillohuni Me Mjekun

Kontrollet periodike me mjekun janë thelbësore për të përballuar çdo sëmundje.

Nëse merrni ilaçe apo kura të forta kundër hipertensionit, mos i ndërprisni ato asnjëherë pa u këshilluar me një specialist.

Ndiqni pesë hapat e mësipërm në mënyrë që të reduktoni në mënyrë graduale presionin e gjakut tuaj dhe të evitoni ilaçet./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.