7 Ushqime që Nuk Duhet t’i Konsumoni të Pagatuara

1.6k 0

Ka disa ushqime të cilat nuk duhet t’i konsumoni të papërpunuara ose të pagatuara dhe disa prej tyre mund t’ju befasojnë.

AgroWeb.org i liston ato më poshtë, duke ju njohur edhe me arsyet se pse nuk duhet t’i konsumoni të gjalla këto ushqime.

Patatet

Ngrënia e patateve të pagatuara, mund të shkaktojë fryrje dhe efekte të padëshirueshme gastrointestinale, sepse patatet përmbajnë niseshte, e cila është rezistente ndaj tretjes, thonë ekspertët.

Duhet të kini kujdes gjithashtu nëse patatet e gjalla kalojnë një kohë të gjatë në një zonë të ngrohtë ose të lagur, sepse ato mund të bëhen të gjelbërta dhe të krijojnë një toksinë të quajtur solaninë.

Nëse një patate ka njolla të gjelbërta, duhet të shmangni ngrënien e saj plotësisht, sepse solanina mund të shkaktojë simptoma të ngjashme me helmimin nga ushqimi.

Fasulet e kuqe

Fasulet e kuqe janë të mbushura me proteina, fibra dhe antioksidantë, por nëse i konsumoni të gjalla,  mund të bëjnë kërdinë në stomakun tuaj.

Ato përmbajnë një toksinë, e cila mund të shkaktojë shqetësime të pakëndshme gastrointestinale dhe simptoma të ngjashme me helmimin nga ushqimin.

Sigurohuni që t’i zieni për të paktën dhjetë minuta para se t’i konsumoni.

Mishi 

Mishi i viçit, mishi i derrit, mishi i pulës dhe gjeli i detit, janë  të rrezikshëm për t’u ngrënë nëse janë të papërpunuar ose të papjekur.

Mishi i papërpunuar mund të përmbajë baktere të rrezikshme si Salmonela, E. coli dhe baktere të tjera.

Salçiçet

Salçiçet e paketuara mund të jenë të ndotura me baktere të rrezikshme Listeria, të cilat mund të vriten vetëm duke i gatuar ato.

Qumështi

Qumështi i papërpunuar, që vjen direkt nga lopa, mund të përmbajë baktere të dëmshme si E. coli dhe Salmonela.

Sipas ekspertëve të shëndetit, qumështi i papërpunuar ka 150 herë më shumë mundësi të shkaktojë sëmundje ushqimore sesa produktet e tjera të qumështit.

Mielli

Në vitet e fundit, studiuesit e identifikuan miellin e papërpunuar si një rrezik të mundshëm për shëndetin.

Gjatë udhëtimit të tij nga kërcelli i grurit në raftin e supermarketit, mielli mund të ketë rënë në kontakt me patogjenë të tillë si E. coli, i cili mund të dëbohet vetëm duke u gatuar.

Farat e frutave

Edhe pse shumica e njerëzve nuk i hanë ato, farat e mollëve, pjeshkëve dhe të kajsive, përmbajnë një kimikat që mund të shndërrohet në cianid organik, i cili mund t’ju helmojë./AgroWeb.org