Sa feta bukë ju duhen në ditë – Cila bukë është më e mira për shëndetin

2.9k 0

Të dhënat e Eurostat tregojnë se shpenzimet e shqiptarëve për bukë dhe drithëra janë shumë të larta në raport me të ardhurat e tyre.

Sipas këtyre të dhënave, këto shpenzime janë më të larta krahasuar me vende të tjera të Evropës.

Buka është kryesore për çdo njeri në këtë vend, aq më tepër kur në çdo vakt na vjen natyrshëm të themi ‘le të hamë bukë.”

Por siç thotë populli, “gjella me kripë e kripa me karar.”

Ndaj kur vjen fjala tek konsumi i bukës, edhe ai duhet të ketë një kufi.

Çdo drith tjetër mund të mbulojë nevojat jetësore për bukën.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni për sasinë e nevojshme ditore të bukës.

Racioni i Nevojshëm Ditor i Drithërave – Sa Feta Bukë Janë Të Nevojshme

Një fetë bukë normale konsiderohet si një racion, por jo çdo fetë është e njëjtë me tjetrën, ndaj kujdesuni që buka të jetë me drithëra të plota.

Po ashtu, racioni ditor i bukës dhe i drithërave është në varësi të moshës, gjinisë dhe aktivitetit fizik.

Racioni i drithërave përmban bukën dhe çdo drith tjetër që konsumoni.

Ekspertë thonë se gratë nga 19 deri në 50 vjeç duhet të konsumojnë 6 racione drithi në ditë.

Gratë mbi 50 vjeç duhet të konsumojnë 5 racione drithi në ditë.

Burrat nga 19 në 30 vjeç kanë nevojë për 8 racione drithi në ditë, ndërsa ata nga 31 deri në 50 vjeç kanë nevojë për 7 racione.

Burrat mbi të pesëdhjetat duhet të konsumojnë 6 racione drithi në ditë.

Fëmijët dhe adoleshentët kanë nevojë për më pak racione drithi në ditë.

Drithërat e Plotë

Sipas tue dhënave të AgroWeb.org, drithërat e plotë, pra jo të përpunuar, janë më të pasurit në ushqyes.

Ekspertët këshillojnë se gjysma e bukës që konsumoni çdo ditë duhet të jetë e përgatitur me drith të plotë.

Ushqyesit Që Ofron Buka

Në varësi të drithit të përdorur, buka ofron vitamina të grupit B, minerale dhe fibër.

Vitaminat B rregullojnë metabolizmin dhe ndihmojnë sistemin nervor.

Fibra është e nevojshme për tretjen ndërkohë që mineralet janë të domosdoshme për sistemin imunitar dhe nivelet e oksigjenit në gjak./AgroWeb.org