Flasin mjekët: Produktet alternative, më pak të dëmshme. Vendet të përpiqen për një mjedis pa cigare

648 0

Pavarësisht fushatës shumë vjeçare kundër pirjes së duhanit, ka rreth një miliard duhanpirës në botë. Konfirmimi vjen nga paneli për reduktimin e dëmit të duhanit – në kuadër të konferencës ndërkombëtare “Rishikimi i fakteve për sjelljet e dëmshme dhe qëndrueshmërinë shëndetësore”, e cila u mbajt më 30 maj në kryeqytetin e Bullgarisë.

Në konferencën e organizuar nga kompania Arbilis (organizatore bullgare e konferencave shkencore) në prag të Ditës Botërore kundër Duhanit, me temën e reduktimit të dëmit nga zakonet e këqija, shkencëtarët përsëritën se vendet duhet të përpiqen për një mjedis pa cigare.

Megjithatë, është shumë e vështirë të bindësh njerëzit që janë duhanpirës të lënë duhanin, tha profesori Reuven Zimlichman, kreu i departamentit të mjekësisë në Institutitin e Hipertensionit në Qendrën Mjekësore E. Wolfson të Izraelit dhe drejtor i Institutit për Kërkime Kardiovaskulare në Shkollën e Mjekësisë Sackler në Tel Aviv.

Zgjidhje kundër dëmit ndaj shëndetit

Sipas të dhënave që ai prezantoi, pothuajse 50% e duhanpirësve që pësuan infarkt dhe 57% e atyre që pësuan goditje në tru, vazhdojnë të pinë cigare.

“Si mjekë, nuk kemi pasur sukses në përpjekjet tona për të frenuar pirjen e duhanit, duke qenë se numri i duhanpirësve në nivel global mbetet i pandryshuar. Një miliard duhanpirës janë dëshmi e dështimit tonë dhe tani është e qartë se ne duhet të gjejmë një zgjidhje tjetër”, tha profesor Zimlichman.

Ai shtoi se tashmë janë në dispozicion alternativa të ndryshme pa tym, me më pak dëm për shëndetin, si snus (qeskat e nikotinës që vendosen midis buzëve dhe mishit të dhëmbëve), cigaret elektronike dhe produktet që ngrohin duhanin në të cilat substancat e dëmshme reduktohen me 95% sepse duhani ngrohet, nuk digjet.

“A e kuptoni se sa jetë në një miliard duhanpirës mund të shpëtojmë?”,  pyeti profesori.

Ai përmendi Suedinë si shembull, ku norma e pirjes së duhanit ka shënuar shifra rekord duke rënë në 5% për shkak të përdorimit masiv të snus.

“Sa vdekje janë shmangur në Suedi dhe sa jetë të tjera mund të shpëtohen nëse ndalimi i snus-it do të hiqej në Evropë?”, shtoi profesor Zimlichman.

Profesor Borislav Georgiev, shef i Klinikës së Kardiologjisë të Spitalit Kombëtar të Kardiologjisë në Sofje, deklaroi se pacientët zgjohen pas një operacioni të rrezikshëm dhe kërkojnë një cigare.

“Duhanpirësit e varur janë përpjekur ta lënë duhanin rreth 50 herë, ndaj tani po përpiqemi të gjejmë një alternativë dhe një qasje moderne për lënien e duhanit dhe një mjedis pa duhan”, shtoi ai.

“Parimi i reduktimit të dëmit duhet të zbatohet për të gjitha varësitë. Reduktimi i dëmit nga pirja e duhanit përkufizohet si minimizimi i dëmit dhe reduktimi i vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë së përgjithshme pa eliminuar plotësisht përdorimin e duhanit dhe nikotinës”, shpjegoi prof. Hristo Kozuharov, drejtues i Klinikës së Dytë Psikiatrike në Varna dhe kryetar i Shoqatës Bullgare të Psikiatërve.

Alternativa pa tym eliminon duhanin pasiv

Dr. Rada Prokopova, kardiologe, shefe e Departamentit të Kardiologjisë në Spitalin Shën Anna në Sofje, deklaroi se pirja e duhanit vret gjysmën e duhanpirësve çdo vit, ndërsa 600,000 persona të tjerë janë të ekspozuar ndaj pirjes pasive të duhanit. Ajo po ashtu deklaroi se tymi i cigares shkakton 40% të sëmundjeve të zemrës, rrit kolesterolin me 24% dhe rrit presionin e gjakut me 31%.

“Pirja e duhanit është një shkak global i parandalueshëm që shkakton vdekje. Hapi i parë është që duhanpirësit të reduktojnë numrin e cigareve në ditë dhe nëse nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë, të kalojnë në një alternativë pa tym që eliminon duhanin pasiv. Në këtë mënyrë do të ndihmojnë veten dhe të afërmit e tyre”, përfundoi dr. Prokopov.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.