Përdorimet e gjetheve të ullirit në mjekësinë popullore datojnë që në kohën e Egjiptit të lashtë.
Asokohe, besohej se këto gjethe të ishin simbol i një fuqie hyjnore.
Gjethet e ullirit përmbajnë përbërës bioaktivë të fuqishëm dhe antioksidantë, njësoj si vetë ulliri.
Vlerat e këtyre gjetheve i bëjnë ato të dobishme për sistemin imunitar, tensionin e gjakut dhe shëndetin e sistemit kardiovaskular në përgjithësi.
Nga të gjithë përbërësit bioaktivë të gjetheve të ullirit veçohet një substancë që quhet oleuropein.
Në fillim të viteve 1900 u zbulua që ky antioksidant ul në mënyrë natyrale tensionin e gjakut dhe parandalon sëmundjet kardiovaskulare.
Vlerat E Provuara Të Gjetheve Të Ullirit
Kur krahasuan efikasitetin e ekstraktit të gjetheve të ullirit me atë të një medikamenti kundër tensionit të lartë, studimet të cilave u referohet AgroWeb.org zbuluan se ekstrakti bimor e ulte ndjeshëm tensionin sistolik dhe diastolik.
Kjo ulje u vërejt kur pjesëmarrësit në studim morrën 500 miligramë ekstrakt të gjetheve të ullirit, dy herë në ditë për 8 javë.
Gjethet e ullirit gjithashtu ulin nivelin e kolesterolit të keq dhe shmangin efektet anësore të medikamenteve.
Shëndeti Kardiovaskular
Antioksidanti oleuropein bashkë me përbërësit të tjerë të gjetheve të ullirit kanë ndikim direkt në uljen e rrezikut të shfaqjes së sëmundjeve të zemrës.
Ato gjithashtu parandalojnë formimin e inflamacionit dhe disa tumoreve.
Diabeti
Një studim të cilit i referohet AgroWeb.org, zbuloi se ekstrakti i gjetheve të ullirit ka ndikim pengues në zhvillimin e diabetit dhe shumë sëmundjeve të tjera kronike.
Ato mund të ulin nivelin e sheqerit në gjak dhe ta mbajnë atë nën kontroll.
Funksionet E Trurit
Përbërësit bioaktivë të gjetheve të ullirit zbusin simptomat e sëmundjeve mendore të lidhura me moshën siç është skleroza apo sëmundja e Alzheimerit.
Sipas studimeve, antioksidantët sulmojnë radikalet e lira që dëmtojnë funksionet e trurit duke i rimëkëmbur ato.
Kundër Artritit
Gjethet e ullirit pakësojnë enjtjen e kyçeve dhe gjymtyrëve të prekura nga artriti, sepse shënjestrojnë që në fillim inflamacionin.
Për më tepër, substancat e këtyre gjetheve zbusin dhimbjet kronike që shoqërojnë sëmundjen.
Kundër Baktereve
Ekstraktet e gjetheve të ullirit munden të eliminojnë një sërë bakteresh dhe mikrobesh përfshirë Escherichia coli.
Këto ekstrakte janë efikase edhe kundër hepatitit B, pneumonisë, e të tjerë.
Sistemi Imunitar
Gjethet e ullirit pengojnë të ftohurën dhe janë të dobishëm kundër viruseve të rrezikshëm.
Përbërësit e gjetheve eliminojnë organizmat e dëmshëm dhe nuk lejojnë shumimin e viruseve.
Si ta përgatisni Çajin e Gjetheve të Ullirit
Për të përgatitur lëngun nga gjethet e ullirit, AgroWeb.org ju tregon që duhet të përdorni gjethe të thata, ose të njoma në kushtet e shtëpisë.
Merrni një enë metalike, të cilën duhet ta mbushni me 300 ml ujë dhe ta vini të valojë.
Kur arrihet pika e vlimit, hidhni një sasi prej rreth 20 deri 25 gjethe të thara të ullirit.
Uji së bashku me gjethet duhet të valojë sërish për 4-5 minuta dhe më pas hiqeni nga zjarri dhe lëreni të ftohet.
AgroWeb.org ju këshillon që lëngun ta pini të ngrohtë pasi të shtoni lëng limoni dhe të tresni pak mjaltë.
Lëngu i gjetheve të ullirit ofron një shije mrekullisht të kënaqshme dhe të ëmbël, e cila e bën një zgjidhje që nuk duhet ta ndani nga vetja në çdo stinë./AgroWeb.org
Lini një Përgjigje