Llojet e skanimeve të trurit që zbulojnë Demencën ose Alzheimerin – Cili është më i mirë

1.5k 0

Alzheimeri është shkaku kryesor i Demencës.  Ndërsa vetë termi Demencë i referohet një grupi simptomash që dëmtojnë aftësinë e një personi për të kujtuar, menduar, zgjidhur problemet dhe komunikuar. Mund të shkaktojë gjithashtu ndryshime humori dhe personaliteti.

Skanimet e trurit janë një nga disa teste diagnostikuese që mjekët mund të përdorin për të zbuluar demencën. Disa lloje të zakonshme të skanimeve të trurit janë:

  • Rezonanca magnetike (MRI)
  • Tomografi e kompjuterizuar (CT/CAT)
  • Tomografia me emetim pozitron (PET)

Në përgjithësi, skanimet imazherike ofrojnë një pamje të trurit nga e cila mjekët mund të analizojnë për shenjat e demencës.

Më poshtë AgroWeb.org hedh një vështrim të shpejtë rreth të mirave, të këqijave dhe hapat që duhen kryer në lloje të ndryshme të skanimeve imazherike për këtë sëmundje.

Si shfaqen llojet e demencës në një skanim të trurit?

Simptomat e demencës janë të lidhura me ndryshimet në strukturat dhe funksionet e trurit që mjekët mund t’i shohin duke përdorur teknika imazherike si MRI, CT dhe PET.

Atrofia (tkurrja) e trurit është e përhapur në shumicën e llojeve të demencës. Një mjek mund të jetë në gjendje të identifikojë llojin e demencës duke kërkuar një model specifik të atrofisë. Për shembull, demenca frontotemporale zakonisht shkakton atrofi të zonave të përparme të trurit.

Sëmundja e Alzheimerit mund të jetë për shkak të ndryshimeve në hipokampus, një pjesë e trurit tuaj përgjegjëse për kujtesën dhe të mësuarit. Në një skanim të trurit, hipokampusit i një personi me Alzheimer zakonisht duket i tkurrur (i atrofizuar).

Nga ana tjetër, demenca vaskulare, shkaktohet nga një sëmundje afatgjatë e enëve të gjakut në trurin tuaj. Kjo mund të shkaktojë dëmtim në tru dhe një rënie të funksioneve njohëse. Mjekët mund të përdorin skanimin e MRI ose CT gjatë procesit të diagnostikimit.

Së fundi është edhe demenca që shkaktohet nga depozitimi jonormal i një proteine të caktuar, që shpesh ndodh së bashku me sëmundjen e Parkinsonit. Në këtë rast, studimet imazherike nga skanimet PET mund të zbulojnë ndryshimet në tru që ndodhin në zonat që prodhojnë dopaminë.

Cili lloj skanimi është më i mirë në zbulimin e demencës?

Mjekët përdorin skanime MRI dhe CT për të zbuluar ndryshimet që mund të ndihmojnë gjatë diagnostikimit të demencës. Secila metodë ka avantazhet dhe disavantazhet e saj.

Disa nga dallimet kryesore janë:

  • Rreziqet: MRI-të përdorin valë dhe ende nuk dihet nëse ato kanë ndonjë rrezik. Skanimet CT përdorin rreze X, kështu ju ekspozoheni ndaj një sasie të vogël rrezatimi.
  • Kohëzgjatja: MRI-të kërkojnë më shumë kohë sesa skanimet CT. Zakonisht nuk janë alternativa më e mirë për njerëzit që nuk mund të qëndrojnë palëvizur për një kohë të gjatë.
  • Imazhi: MRI kapin imazhe më të detajuara të trurit sesa skanimet CT. MRI mund të jetë alternativa më e mirë kur ndryshimet e trurit janë më pak të dukshme, sidomos ato në fazën e hershme.
  • Aspektet negative: Skanimet MRI nuk janë domosdoshmërisht të përshtatshme për njerëzit me implante të caktuara mjekësore.
  • Kostoja: MRI-të janë më të kushtueshme se CT. Një skanim CT mund të jetë zgjidhja më e mirë nëse kostoja është një problem.

Është gjithashtu e mundur që mjeku juaj të rekomandojë një lloj tjetër skanimi për të ndihmuar në diagnostikimin e demencës si për shembull skanimet PET. Ato janë paksa të ndryshme nga MRI dhe CT dhe mund të vëzhgojnë ndryshime në funksionin e trurit që mund të zhvillohen gjatë fazave të hershme të demencës.

A mundet që këto skanime ta diagnostikojnë herët demencën?

Ndryshimet e trurit të lidhura me demencën mund të jenë të dukshme në skanime që në fazat e hershme të sëmundjes. Në disa raste, ato madje mund të jenë të dukshme edhe përpara shfaqjes së simptomave.

Cila është procedura për një skanim të trurit?

Skanimet e trurit janë procedura joinvazive. Profesionistët e kujdesit shëndetësor zakonisht i kryejnë ato në spitale ose klinika radiologjike.

Para skanimit të trurit, personeli mjekësor mund t’ju kërkojë të vishni një veshje spitali. Në shumicën e rasteve ju do të shtriheni në një tavolinë të gjatë që rrëshqet përpara në mënyrë që skaneri të jetë mbi kokën tuaj. Makina ose një teknik do të marrë më pas imazhet e nevojshme të trurit tuaj ndërsa ju qëndroni palëvizur.

Shumica e skanimeve CT mbarojnë brenda pak minutash, ndërsa MRI-ja e trurit zgjat nga 30 deri në 60 minuta.

Si e diagnostikojnë mjekët demencën?

Një skanim i trurit zakonisht nuk mjafton për të diagnostikuar demencën. Mjekët përdorin skanime të trurit dhe teste të tjera për të verifikuar praninë e kësaj sëmundjeje.

Disa burime të tjera informacioni që mjeku mund të përdorë për të zbuluar dhe diagnostikuar demencën përfshijnë:

  • Simptomat dhe historia familjare.
  • Ekzaminimi fizik.
  • Teste të aftësisë mendore
  • Teste laboratorike /AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.