Koha e Ngrënies së Darkës Lidhet me Shtimin e Rrezikut të Prekjes nga Tumoret

3.1k 0

Koha e ngrënies së darkës është e lidhur me shfaqjen e shtuar të rrezikut të prekjes nga tumori i gjirit dhe ai i prostatës.

Gjëja kryesore që duhet të dini? Më mirë të mos shkoni menjëherë në shtrat pas ngrënies së darkës.

Një studim i ri i publikuar në fund të gushtit 2018 nga Kongresi Botëror Kundër Tumoreve zbulon se ngrënia e një darke të hershme dhe sigurimi i një intervali të gjatë ndërmjet vaktit të fundit dhe gjumit, ul ndjeshëm rreziqet e kancerit të gjirit dhe të prostatës.

Studimi përfshiu 621 raste të pacientëve me probleme të prostatës dhe 1205 raste të pacienteve të prekura nga kanceri i gjirit, gjithsej 872 meshkuj dhe 1321 femra.

Pjesëmarrësit u intervistuan për kohën e ushqimit dhe modelet e gjumit dhe plotësuan një pyetësor për frekuencën e ushqimit.

Cila ishte gjetja më e madhe e studimit shkencor?

Krahasuar me ata që flenë menjëherë pas darkës, ata që flenë 2 ose më shumë orë pas ngrënies së darkës kanë pasur një reduktim prej 20% në rrezikun e shfaqjes se qelizave të dëmshme të kancerit të gjirit dhe kancerit të prostatës.

Një ulje e ngjashme e rrezikut të sëmundjeve të këqia u vërejt edhe tek pjesëmarrësit që kishin konsumuar darkë para orës 21.00 në krahasim me ngrënien e darkës nga ora 22.00.

Gjetjet e provuara nga shkencëtarët udhëheqës të studimit nënvizojnë rëndësinë e vlerësimit të orës së brendshme të trupit në studimet e lidhjes mes ushqimit dhe zhvillimit të tumoreve.

Gjithashtu me rëndësi është edhe nevoja për të zhvilluar rekomandime ushqimore për parandalimin e kancerit që përqendrohen jo vetëm në llojin dhe sasinë e marrjes së ushqimit, por edhe në kohën e konsumit.

“Nëse rezultatet konfirmohen në shkallë edhe më të gjërë, ato do të kenë rëndësi të madhe për rekomandimet për parandalimin e kancerit që aktualisht nuk marrin parasysh kohën e ushqimit”, tha autori kryesor i studimit Manolis Kogevinas, i Qendrës Kërkimore ISGlobal, në Barcelonë.

“Ndikimi mund të jetë veçanërisht i rëndësishëm në kulturat si ato në Evropën Jugore ku njerëzit priren të darkojnë vonë”, u shpreh shkencëtari, lider i studimit./AgroWeb.org

Burimin shkencor: Wiley Online Library

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.