Sekretet e Jetëgjatësisë Fshihen tek Gjenetika – Zbuloni Faktet Interesante

2k 0

Një shprehje e urtë popullore thotë që jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtër. 

Kjo rezulton të jetë e vërtetë, nëse u beson të dhënave të deritanishme të një studimi sipas të cilit, jetëgjatësia është e shkruar në gjene.

Njerëzit që jetojnë përtej të njëqindtave janë të rrallë ama gjithnjë janë në qendër të vëmendjes sepse mesa duket kanë një sekret.

Njeriu që ka jetuar më gjatë në botë (e dokumentuar), quhet Jeanne Calment.

Kjo grua jetoi plot 122 vjet dhe 164 ditë.

Në mars të vitit 2019, një grua japoneze, 116 vjec, u njoh si  njeriu më i vjetër në botë.

Natyrshëm lind pyetja, çfarë kanë të përbashkët këta njerëz dhe çfarë i dallon nga popullata e gjerë?

Sa ndikojnë gjenet?

Pikërisht kjo i ka shtyrë ekspertët të ndërmarrin një studim, i pari i llojit të vet, mbi dëshifrimin e kodeve gjenetike të një burri dhe një gruaje që kanë jetuar përtej moshës 114 vjeç.

Studimi që vazhdon akoma deri më tani ka publikuar këto gjetje:

ADN-ja e njerëzve që jetojnë mbi 114 vjeç  është shumë e ngjashme me njerëzit që nuk jetojnë aq gjatë.

Njerëzit që jetojnë mbi 114 vjeç, kanë të njëjtët tregues gjenetikë mbi sëmundshmërinë si popullata e gjerë.

Gjithësesi ata kanë mbi 50 variabla gjenetikë të lidhur me jetëgjatësinë, për disa prej të cilave as që është dëgjuar ndonjëherë.

Hipoteza e studiuesve është që gjenet që lidhen me jetëgjatësinë mund të jenë të prirura të bëhen pengesë për genet që lidhen me sëmundshmërinë.

Pra,  është e gjitha një shorte.

Jetëgjatësia Në Shqipëri  

Të dhënat më të fundit për jetëgjatësinë në vend, tregojnë se jetëgjatësia në Shqipëri luhatet tek 80.1 vjeç për femrat dhe 78 vjeç për meshkujt.

Ndërkohë, jetëgjatësia në Europë për gratë është mesatarisht 83.6 vjet, krahasuar me 78.2 vjet për meshkujt.

Këto të dhëna tregojnë se jetëgjatësia në vendin tonë është pak më e ulët se mesatarja evropiane.

Sipas të dhënave të revistës Monitor jetëgjatësia mesatare e shqiptarëve në vitin 1961 ishte 62.3 vite, që do të thotë se në periudhën e tranzicionit jetëgjatësia është rritur me pak vite.

Një hartë e përpiluar nga organizata HelpAge falë të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka arritur në një konkluzion mbi jetëgjatësinë.

Sipas kësaj harte, një person 60 vjeçar në Shqipëri dhe në një pjesë të mirë të Ballkanit, pritet të jetojë edhe 18 deri në 20 vjet të tjera.

Hapat Drejt Jetëgjatësisë

Njeriu, thonë ekspertët, ADN-në dhe genet nuk i ndryshon dot, ama mund ta ndihmojë veten që të jetojë gjatë duke u siguruar që:

  • të mos pijë duhan,
  • të jetë aktiv çdo ditë,
  • të ushqehet shëndetshëm me perime, shpendë, fruta, yndyrna të shëndetshme e drithëra të plota,
  • të shmangë ushqimet e shpejta, me yndyrë dhe kripë,
  • të marrë mjaftueshëm vitaminë D dhe kalçium,
  • të kujdeset për peshën dhe formën e trupit,
  • të sfidojë trurin,
  • të ketë një rreth të fortë shoqëror,
  • të mbrojë sytë dhe dëgjimin duke bërë shpesh kontrolle,
  • të mbajë një higjenë të mirë të gojës,
  • të marrë medikamentet e duhura në kohën e duhur për tensionin, osteoporozën dhe çdo problem tjetër shëndetësor./AgroWeb.org