Ushqimet që ju Duhen kur Merrni Antibiotikë

3.9k 0

Antibiotikët janë ilaçe të forta që përpos luftimit të baktereve shkaktojnë edhe shumë efekte anësore në organizëm, kryesisht në stomak.

Përdorimi i antibiotikëve shkakton të përziera, diare, fryrje, probleme me tretjen, dhimbje të stomakut dhe humbje të oreksit.

Efektet anësore mund të zbuten me ushqimet e duhura, të cilat nga ana tjetër mund të përshpejtojnë shërimin.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni për ushqimet që duhet të hani dhe të shmangni kur merrni antibiotikë.

Probiotikët

Përdorimi i antibiotikëve mund të prishë ekuilibrat e baktereve të nevojshme në stomak.

Probiotikët janë të domosdoshëm sepse zbusin shumë prej efekteve anësore të antibiotikëve.

Nëse merrni probiotikë, rekomandohet që ato të merren në një diferencë kohore prej 2 orësh nga antibiotiku.

Probiotikët duhen marrë edhe pas mbarimit të kurës me antibiotikë për të kthyer ekuilibrat e baktereve në stomak.

Ushqimet e pasura me probiotikë janë kosi, kefiri, ushqimet e fermentuara, si turshitë, djathi i napës, etj.

Prebiotikët

Prebiotikët konsiderohen si ushqim për bakteret e mira në stomak.

Ushqimet më të pasura me prebiotikë janë; qepa, hudhra, banania, çikorja, kosi e të tjerë.

Me prebiotikët duhet të tregoni kujdes dhe të mos merrni sasi të mëdha sepse për shkak të fibrës mund të përjetoni gazra dhe fryrje.

Vitamina K

Antibiotikët shkatërrojnë shumë baktere në organizëm, përfshirë ato që prodhojnë vitaminën K, për të cilën trupi ka nevojë të sigurojë mpiksjen e gjakut.

Kurat e antibiotikëve duhet t’i shoqëroni me shumë barishte si spinaqi, barishtet e egra, majdanozi, lakrat e vogla e të tjerë.

Fibra

Ekspertët paralajmërojnë se kur marrin një kurë me antibiotikë, njerëzit duhet të shmangin ushqimet me sasi të mëdha fibre sepse kjo e fundit ndikon në përthithjen e barnave.

Por me të mbaruar kurën, fibra është e domosdoshme dhe ajo gjendet tek: bananet, frutat e pyllit, bishtajore, brokoli, arrorët dhe drithërat e plota.

Çfarë Duhet Shmangur Gjatë Një Kure Me Antibiotikë

Një nga këshillat më të forta që jep një mjek krahas recetës me antibiotikë është shmangia e alkolit.

Pirja e alkolit mund të përkeqësojë simptomat por edhe të nxisë rrahjet e shpejta të zemrës, marramendje e dhimbje koke.

Alkol mund të pini në sasitë e lejuara, 48-72 orë pas mbarimit të kurës me antibiotikë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.