2.4k 0

Si të Zëvëndësoni Mishin me Ushqime Organike

Konsumi shqiptar i mishit është rritur nga 15.3 kg për person në vitin 1963, në 38.2 kg për person në vitet 2000.

Këtu përfshihen të gjitha llojet e mishit dhe kjo tendencë vazhdon edhe në ditët tona.

Kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri! Në vitin 2002 Danimarka arriti në nivelin rekord e konsumit të 145.9 kg mish për person.

Kjo rritje botërore në konsumin e mishit ka pasur efekte jashtëzakonisht të dëmshme mjedisore.

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë vlerëson se industria e rritjes së bagëtive për mish, nxjerr në ajrin që thithim afërsisht një të pestën e dioksidit të karbonit që prodhohet nga aktiviteti i njeriut në tërësi.

Kjo sasi, që në fakt përshpejton ndryshimin e klimës në botë, është më e madhe edhe sesa dioksidi i karbonit që lëshon në ajër industria e transportit, milionat e makinave që shohim në rrugë.

Megjithatë, pavarësisht sa tronditëse janë këto të dhëna, ato duken larg jetëve tona të përditshme.

Kështu që nuk na mbetet veçse të “nxjerrim asin nën mëngë” e të tregojmë përfitimet e shëndetit tonë prej të ngrënit më pak mish.

Çfarë të konsumoni

Studimet kanë treguar se reduktimi i mishit në dietën tonë sjell zvogëlimin e rezikut të kancerit duke qenë se mishi i kuq i përpunuar lidhet direkt me probleme shëndetësore.

Në përforcim të kësaj, dieta e pasur me zarzavate redukton sëmundjet e zemrës, lufton diabetin dhe frenon mbipeshën.

Legjenda e përhapur është se ne kemi nevojë për mish sa herë që ulemi në tavolinën e ngrënies sepse ‘mish’ do të thotë energji dhe protein.

Por të rriturit në përgjithësi, kanë nevojë që vetëm 10% deri në 35% e kalorive të tyre ditore të vijnë nga proteinat dhe kjo përkthehet vetëm në 50 gramë.

Për këtë sasi prej 50 gramësh proteina, ka shumë burime të tjera ku ne mund të gjejmë proteinat e nevojshme, duke ulur dalëngadalë varësinë ndaj mishit.

Specialistët e ushqimit thonë që është e lehtë: Ushqehuni më shumë si një Mesdhetar.

Po, prindërit tuaj kishin shumë të drejtë kur iu ndiqnin nga mbrapa me pjatë në dorë për të ngrënë gjellën me zarzavate.

Dieta mesdhetare mbështetet shumë tek fruta perimet, arroret me kufizim të përdorimit të mishit dhe është një dietë e mirë për t’u ndjekur.

Studimet kanë treguar se kjo mënyrë të ushqyeri është çelësi për të jetuar më gjatë, pasi ul rrezikun e kancerit dhe sëmundjeve kardiovaskolare. Madje e mbajnë trurin e ri dhe më të shëndetshëm.

Dhe ndërkohë që do të ndiheni më mirë dhe me shumë gjasa do të jetoni më gjatë me një ushqim që favorizon frutat dhe perimet, gjithashtu do t’ju ndihmojë të mbani një peshë optimale që ndihmon në shëndetin tuaj.

Shqiptarët përgjithësisht anojnë mes një diete mesdhetare dhe asaj me bazë mishi, por me të dhënat e fundit e lidhjes së mishit të përpunuar me kancerin dhe ritmet frenetike të jetës, rritjen e obezitetit dhe të përgjegjësisë se duhet të ushqehemi shëndetshëm, ndoshta ju duhet të konsideroni një rrugë tjetër, atë pa mish!

Për ta ndjekur është shumë e lehtë.

Të ushqyerit sipas mënyrës Mesdhetare është shumë e thjeshtë dhe ofron një sërë varietetesh, të cilat nuk do ta bëjnë aspak të mërzitshëm vaktin tuaj.

Ushqehuni me perime, bishtajore dhe thjerrëza, arrore e shumë fruta.

Por nuk duhet të kaloni në ekstrem dhe të evitoni karbohidratet, hajini me masë. Në vend të gjalpit, gatuani me vaj ulliri.

Burime alternative proteinash:

Thjerrëzat. Thjerrëzat janë shumë të pëlqyera dhe të përhapura në Shqipëri.

Ato kanë 9 gram proteina për filxhan të mbushur me thierrëza si dhe 15 gram fibra.

Kjo vlen për shumicën e fasuleve, si fasulet e zeza, fasulet e zakonshme. Imagjinoni atmosferën e groshëve në tavolinën e një mbrëmjeje me shi.

Bizelet. Një filxhan me bizele përmban 8 gram proteina si dhe aminoacide themelore që janë kyçe për metabolizmin e qëndrueshëm dhe humbjen e peshës.

Spinaqi. Në Shqipëri është i jashtëzakonshëm, konsumojeni sa më tepër.

Spinaqi përmban 5 gram proteina për çdo tas. Është i pasur me hekur dhe futet në shumë gatime bashkë me ushqimet e tjera.

Arrorët dhe gjalpi i tyre. Arrorët përmbajnë proteina dhe yndyrna të shëndetshme, duke i bërë ato pjesë të vlefshme të një diete me bazë bimore.

Të preferuarat tona janë bajamet e fistikët.

Kosi. Një burim i neglizhuar proteinash është edhe kosi, me 13 gr protein për filxhan.

Kosi është tashmë shumë i përdorshëm në kuzhinën shqiptare, kështu që vlerësojeni përmbajtjen e tij të lartë proteinike.

Quinoa. Në shqip njihet si kinoa.

Tendenca e saj nisi pak vite më parë, por për arsye shumë të shëndetshme.

Ajo është teknikisht një farë dhe përmban më tepër se 8 gr protein për filxhan duke përfshirë edhe 9 aminoacide themelore që trupi ka nevojë për rritje, por që nuk i prodhon dot vetë. Është shumë e përhapur dhe gjendet edhe në ushqimoret shqiptare.

Kështu që inkurajoni familjen dhe miqtë tuaj që të përpiqen të përfshijnë këto produkte tërësisht të gjendshme dhe të përballueshme ekonomikisht në gatime./AgroWeb.org/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.