Akullore Me Biskotë, Çokollatë Dhe Vanilje – Receta e Plotë

1.8k 0

Akulloret që vijnë në formën e një sanduiçi,  janë një mënyrë fantastike për të shijuar diçka të ëmbël e të freskët gjatë verës. Këto ëmbëlsira janë të shijshme, mund të përgatiten në pak minuta, dhe me siguri që do të çmendeni pas tyre!

Një recetë origjinale, e thjeshtë dhe e shpejtë, e përsosur në ditët e nxehta të verës që ja vlen ta provoni. Ndiqni më poshtë mënyrën e përgatitjes nga AgroWeb.org

Përbërësit

24 biskota

2 vezë

500 ml krem pana

125 g sheqer pluhur

5 gr ekstrakt vanilje

20 g kakao

Qumësht

Përgatitja

Në një tas të madh, bashkoni panën dhe sheqerin.

Përpunojini me një rrahëse elektrike derisa të përftoni një masë kremoze. Më pas shtoni vezët dhe përpunojeni sërisht me rrahëse.

Kremin e përftuar ndajeni në dy pjesë të barabarta. Në njërën shtoni një lugë çaji ekstrakt vanilje dhe përziejeni mirë. Tek tjetri shtoni kakaon dhe përziejeni derisa përbërësit të bashkohen plotësisht.

Tani merrni një e nga një biskotat dhe njomini në qumësht, më pas shtrojini në dy enë të përshtatshme për ngrirje.

Hidhni mbi bazat e biskotave kremin. Në një tavë vendosni kremin e vaniljes dhe në tjetrin kremin e kakaos. Nivelojeni mirë me një spatull dhe përfundoni duke shtruar sipër biskota të zhytura në qumësht.

Vendosini enët në frigorifer për të paktën 4 orë.

Pas kësaj kohe pritini me thikë dhe në fund shijojini. /AgroWeb.org

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.