Kek i Butë me Tre Përbërës – Receta e Thjeshtë me Shije të Lehtë

1.3k 0

Nëse dashuroni ëmbëlsirat, keku me tre përbërës nuk duhet të mungojë në familjet tuaja.

AgroWeb.org me këtë recetë ju sjell një shije kaq delikate sa do të mahnisni këdo që e provon.

Një kek i butë porsi sfungjer dhe me një aromë të ëmbël mund të jetë zgjidhja perfekte për çdo vakt të ditës.

Mund ta përgatisni fare lehtë dhe pa shumë shpenzime, pasi kërkon vetëm tre përbërës.

Përbërësit

  • 3 vezë
  • 110 g sheqer
  • 110 g miell misri

Përgatitja

Si fillim parangrohni furrën në 180 gradë.

Në një tas të madh rrihni vezët derisa ato të krijojnë një llojë mase kremoze.

Më pas shtoni sheqerin ngadalë, ndërkohë që AgroWeb.org ju këshillon që të përzjeni gjatë gjithë kohës në mënyrë që kokrrizat të shkrijnë.

Kur ngjyra e masës të ketë arritur në një të verdhë të lehtë filloni të shtoni miellin.

AgroWeb.org ju sugjeron që miellin e misrit ta sitni përpara se ta shtoni tek vezët me sheqerin, pasi kështu do t’i japi kekut më shumë ajër.

Duke qenë se receta nuk ka sodë buke, ky hap është shumë i rëndësishëm për fryrjen dhe butësinë e kekut.

Për ta përzjerë miellin përdorni një lugë dhe ruani një ritëm të ngadaltë.

Pasi përbërësit të kenë formuar një masë homogjene, përgatisni tavën duke e spërkatur me vaj ulliri.

Kalojeni masën në tavë dhe hapeni në të gjithë sipërfaqen e saj.

Vendoseni të piqet në furrë përreth 20 minuta, ose derisa keku të ketë marrë një ngjyrë të artë.

Për të provuar nëse është pjekur plotësisht mjafton të shponi me thikë kekun, nëse sipërfaqja e saj del e pastër, atëherë mund ta nxirrni nga furra.

Kur të jetë pjekur, kthejeni në një pjatë që të ftohet pak dhe mund ta servirni.

Nëse dëshironi mund ta shoqëroni me reçel nga frutat e stinës, mjaltë, çaj apo qumësht.

Keku me miell misri ruan butësinë e tij më gjatë, dhe kështu mund ta shijoni edhe në mëngjes me kafen e preferuar.

Kur ta servirni, spërkateni sipas dëshirës me sheqer pluhur./AgroWeb.org