Fjala liker vjen nga latinishtja dhe do të thotë “të tresësh”, në këtë pije mund të tresni ujin, sheqerin, alkoolin e fortë, erëza, fruta dhe barishte të ndryshme.
Është përgatitur për herë të parë rreth viteve 1200 -1300 të erës sonë në Itali dhe tradita e përgatijes së tij vazhdon e mbahet gjallë sot në të gjithë botën.
Në mjekësinë popullore, likeri me arra është përdorur për qindra vite me rradhë si kurë natyrale për shumë probleme shëndetsore.
Në ditët e sotme, kjo pije njihet si ndihma e parë për njerëzit që vuajnë nga problemet me stomakun dhe si kurë natyrale për aneminë dhe gjakun.
Edhe pse recetat e transmetuara nga brezi në brez janë të shumta, disa nuk janë më të lexueshme. Por një gjë është e sigurt: për të përgatitur këtë liker ju duhen 24 arra, ende të gjelbërta, të mbledhura para se të mbulohen nga vesa e mëngjesit!
Me shijen e saj të fortë dhe aromatike, do të jetë kënaqësi ta shijoni atë në mbrëmjet e ftohta të dimrit dhe pas darkave të bollshme, ku do të vëreni edhe fuqinë e saj tretëse!
Përbërësit
- 850 gr arra të njoma e të freskëta (ose 24 kokrra)
- 1 l raki
- 500 gr ujë
- 500 gr sheqer
- lëkurë limoni
- 2 shkopinj kanelle
- 3 karafila
Përgatitja
Për të përgatitur këtë pije, filloni duke larë mirë arrat dhe më pas t’i përgjysmoni ato. Këshillohet të vishni doreza, pasi ato mund të njollosin duart tuaja.
Vendosini arrat në një kavanoz të madh qelqi dhe shtoni në të kanellë dhe karafil.
Shtoni gjithashtu lëkurën e limonit, të cilën mund ta qëroni imët me anë të një qëruesi patatesh, në mënyrë që të mos hiqni pjesën e bardhë, e cila jep një shije të hidhur.
Shtoni alkool derisa përbërësit në kavanoz të mbulohen tërësisht dhe më pas mbylleni kavanozin.
Lëreni në diell për 40 ditë, duke u kujdesur që ta përzieni çdo ditë duke e tundur.
Pas 40 ditësh, hapeni kavanozin, hiqni arrat dhe lini mënjanë vetëm alkoolin, që ndërkohë do të ketë thithur të gjitha aromat e nevojshme.
Në një tenxhere shtoni ujë dhe sheqer, lëreni të ziejnë derisa sheqeri të tretet plotësisht.
Më pas bashkojeni këtë përzierje me alkoolin e lënë mënjëanë dhe me ndihmën e një hinke hidheni atë në një shishe.
Ruajeni këtë shishe në temperaturë dhome ose në frigorifer rreth 3-4 muaj, para se ta shijoni/AgroWeb.org