Jemi në stinën e pranverës dhe sezoni na ofron gjithçka që na nevojitet: perime me gjethe jeshile me veti anti-inflamatore, bishtajore të freskëta dhe të buta, plot me vitamina dhe mierale, peshk dhe fruta plot me antioksidantë.
Pjatat me shije të forta i lënë vendin pjatava më të lehta dhe më delikate të përbëra nga sallata të përziera, ushqime pjekura në skarë dhe ëmbëlsira delikate.
Ky është muaji i duhur për të pastruar trupin dhe për t’u përgatitur për ardhjen e verës. Prandaj është e rëndësishme t’i kushtoni vëmendje mëlçisë, organit detoksifikues, dhe stomakut, i cili tenton të ulë funksionalitetin e tij gjatë ndërrimit të stinëve.
Më poshtë AgroWeb.org ju njeh me tre receta fantastike me përbërës sezonalë që mund të provoni t’i përgatisni që sot.
Rukola me perime
Përbërësit
- 4-6 racione
- 2 avokado të prerë në kubikë
- 1 kastravec i prerë në feta
- 3 domate të prera
- 1 qepë e kuqe
- 1 tufë me rukola
- 2 lugë gjelle me vaj ulliri
- 2 lugë gjelle me lëng limoni
- Kripë dhe piper
- Djathë të bardhë
Përgatitja
Merrni një enë sallate dhe kombinoni avokadon, kastravecin, domatet, qepët e kuqe dhe rukolën. Përziejini lehtë së bashku me një lugë druri.
Në një pjatë tjetër rrihni së bashku vajin e ullirit dhe lëngun e limonit. Më pas hidheni sipër sallatës.
Në fund shtoni djathë të bardhë të shkërmoqur dhe servireni menjëherë.
Lule kungulli me vezë
Përbërësit
- 15 lule kungulli
- 200 gr miell
- 100 ml ujë
- 1 vezë
- vaj për skuqje
- kripë dhe piper për shije
Përgatitja
Për të nisur përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon të zgjidhni një enë të thellë.
Hidhni në të miellin, vezën dhe ujin pak nga pak dhe trazojini derisa të formohet një masë e lëngshme dhe kompakte.
Nëse shihni që kjo masë është trashur shumë mund të shtoni edhe pak ujë, për t’a holluar.
Më pas merni lulet e kungullit hiqini pjesën e poshtëme të kërcellit, duke lënë vetëm pjesën lart të lules, ngjyrë të verdhë.
Lajini me ujë të bollshëm e më pas thajini me kujdes në një pecetë.
Ndërkohë vini tiganin në zjarr dhe hidhni vajin për skuqje për tu ngrohur pak.
Nga ana tjetër zhysni nga të dyja anët lulet e kungullit tek mielli dhe vezët që përgatitët më parë.
Sigurohuni që lulet të mbulohen plotësisht nga ky brumë i lëngëshëm.
Kur të shihni që vaji të jetë i nxehtë hidhni me kujdes lulet e kungullit dhe lërini të skuqen për disa sekonda nga të dyja anët.
Kur të kenë marrë pamje të artë dhe të jenë bërë krokante hiqini nga tigani dhe vërini në një pecetë letre në mënyrë që të kullojë vaji i ullirit.
Shtoni pak kripë dhe piper sipas dëshirës dhe lulet tuaja të kungullit janë gati për t’u shijuar.
Hithra të njoma me qumësht dhe vezë
Përbërësit
(për 4-5 persona)
- 4 – 5 feta bukë të thekur
- 1 lugë gjelle gjalpë i freskët
- 400-500 gr hithra të njoma
- 8 kokrra vezë (të rrahura lehtë)
- 1 gotë me gjizë të freskët
- 3 lugë gjelle vaj ulliri
- Kripë dhe piper për shije
- 100 ml qumësht
Përgatitja
Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të parangrohni furrën në temperaturë 180 gradë.
Për përgatitjen e kësaj recete do t’ju duhet një tavë e vogël. Lyejeni me gjalpë dhe lëreni mënjanë.
Ndërkohë, pastroni mirë hithrat, largoni kërcenjt dhe përdorni vetëm gjethet, pasi këto të fundit përgatiten më shpejt. Tufën me gjethe priteni me një thikë.
Vendosini hithrat në një kullesë makaronash në mënyrë që të largoni lëngun e tyre.
Tani grini imët fetat e thekura të bukës.
Ndërkohë në një tas të madh bashkoni vezët, bukën e thekur e të grirë, hithrat, gjizën, vajin e ullirit, qumështin, kripën dhe piperin dhe përziejeni derisa masa të njëtrajtësohet.
Trasferojeni masën në tavën e lyer me gjalpë dhe lëreni të piqet në furrë për 40-45 minuta.
Pas pjekjes lëreni të ftohet pak dhe shërbejeni të ngrohtë.
Kjo tavë, shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me sallata të freskëta të stinës, perime të pjekura, supa të ndryshme por edhe turshi të përgatitura vetë në shtëpi. /AgroWeb.org
Lini një Përgjigje