Mënyrat më të Mira për Trashjen e Reçelit Krejt Lehtë

2.1k 0

Reçeli i shtëpisë është padyshim një produkt që kërkon mund por edhe dashuri të madhe.

Përgatitja e reçelit është traditë e hershme e amvisave shqiptare, por preferencat ndryshojnë.

Nga më të njohurit janë reçeli i fikut dhe ai i qershisë por nuk përjashtohen as ai i luleshtrydhes, kumbullës dhe ftoit.

Po të pyesësh një amvisë, sfida më e madhe në përgatitjen e reçelit është trashja e tij.

Ndonjëherë, pavarësisht sasisë së duhur të frutave, sheqerit dhe lëngut të limonit, reçeli sërish mbetet i hollë.

Ekspertët e AgroWeb.org ju këshillojnë mënyrat më praktike dhe të thjeshta për trashjen e reçelit tuaj të preferuar.

Mos u Nxito

Populli thotë: “i duruari i fituari,” dhe për këtë ka të drejtë.  Ndonëse në fillim duket sikur reçeli nuk është trashur siç duhet dhe është tepër i hollë, prisni pak dhe mos u nxitoni.

Në rastet e shumë reçelërave, veçanërisht atë të luleshtrydheve nevojitet një kohë më e gjatë për ftohjen dhe mpiksjen ashtu siç duhet.

Prandaj lëreni të ftohet në temperaturë ambienti dhe më pas futeni në frigorifer.

Sasia e Sheqerit dhe Lëngu i Limonit

Zakonisht kur përgatisim reçel ngaqë duam ta bëjmë më të shëndetshëm nuk i hedhim sasinë e rekomanduar të sheqerit, por diçka e tillë ndikon tek trashësia e reçelit.

Nga ana tjetër nëse nuk hidhni lëngun e limonit apo limontoz, sheqeri do të karamelizohet duke e ngurtësuar reçelin.

Zierje e Dyfishtë

Përgatitja e reçelrave pa përdorur pektinë kërkon durim dhe praktikë.

Nëse ju shikoni që dhe pasi reçeli juaj është ftohur ai ende nuk është mpiksur, vendoseni për ta zierë edhe njëherë.

Por kini kujdes që zjarri të jetë masatar dhe enët e qelqit që keni përdorur pë të ruajtur reçelin t’i keni larë mirë.

Futeni në furrë

Nëse nuk dëshironi që ta zieni përsëri reçelin në tenxhere, mund të përdorni furrën.

Hidheni reçelin në një tavë dhe futeni në furrë me temperaturë të ulët 150 gradë dhe lëreni për 30 minuta ose deri në një orë.

Diçka e tillë do të përqendrojë shijen dhe do të përthajë lëngun e tepërt të reçeli duke e lënë atë të plotë. Por funksionon tek reçelrat si ai i pjeshkës, kajsisë apo i kumbullës./AgroWeb.org