Qepët janë baza e shumë prej gatimeve të përditshme për amvisat shqiptare.
Ato përdoren në supa, gjellë, salca, sallata e panine të ndryshme.
Megjithatë qepa nuk është një produkt që dorëzohet lehtë në kuzhinë.
Ajo të bën të derdhësh lotë pafund e të mos jesh në gjendje të hapësh sytë.
Sipas të dhënave të AgroWeb.org shtresë pas shtrese, qepa mund të përpunohet pa patur nevojë për lotë.
Si Të Pastroni Qepën Pa Lotë Në Sy
Hapi i parë është që të prisni pjesën fundore dhe të sipërme të qepës me një thikë të mprehtë.
Më pas me duar qëroni shtresën e jashtme të qepës.
Merrni thikën dhe prijeni qepën në gjysmë vertikalisht.
Më pas vendosini gjysmat në dërrasën e kuzhinës për prerje.
Merreni njërën gjysmë, mbështeteni dorën sipër saj dhe prijeni në feta vertikale por mos e çoni thikën deri në fund.
Fetat duhet të jenë të prera, por akoma të puthitura.
Më pas vazhdoni me prerjen në mënyrë horizontale duke nxjerrë kubikë të përmasave të ndryshme.
Ekspertët e kuzhinës thonë se sa më e mprehur të jetë thika, aq më pak gjasa do të ketë që të qani gjatë prerjes së qepës.
Qërimi dhe zhytja e qepës pa lëvore në ujë për disa minuta përpara prerjes
Në këtë mënyrë mund të shuani një pjesë të përbërësve të sulfurit dhe pakësoni irritimin që perimja shkakton.
Ftohja e qepës përpara përdorimit
Një tjetër mënyrë për t’i shpëtuar lotëve. Qepët e ngrira shkaktojnë më pak lot, ndonëse janë pak më të vështira për t’u prerë.
AgroWeb.org ju sugjeron zgjidhje më praktike për të prerë qepët. Proçesin realizojeni nën aspiratorin e ndezur të kuzhinës, freskueses ose nën ujin e rrjedhshëm që largon enzimat përpara se të shkaktojnë dëm.
Qepa ka nivelin më të lartë mbrojtës nga të gjitha simotrat e saj
Enzimat e qepës prodhojnë acidin sulfenik që shpërbëhet në një element që i jep perimes aromën e fortë dhe të spikatur dhe në një agjent të quajtur propanethial-S-oxide që stimulon sytë të prodhojnë lot.
Ky përbërës kimikat me një emër kaq të ngatërruar është arsyeja përse qepët na bëjnë të qajmë, pasi irriton gjendrat e lotit si një gaz lotsjellës.
Por sekretet e qepës shkojnë përtej. Dy përbërësit që shkaktojnë lotët – sulfoksidet dhe enzimat – prodhohen dhe akumulohen ndarazi tek bima.
Ato bashkojnë fuqitë vetëm në momentin që një kafshë ngul dhëmbët ose një njeri ngul thikën në shtresat e jashtme të qepës.
Menjëherë pas nisjes së këtij reagimi kimik, gazi i çliruar nis ‘sulmin’. Brenda pesë minutash të gjitha enzimat kryejnë punën e tyre dhe i gjithë proçesi përfundon./AgroWeb.org
Lini një Përgjigje