Rehania e Rrushit – Përgatisni Shurupin e Ëmbël të Traditës

3.4k 0

Është pikërisht periudha ideale për përgatitjen e shurupit të rrushit. Traditë e veçantë e amvisave në zonat e jugut të Shqipërisë.

Një shurup fantastik, me ëmbëlsi të mrekullueshme dhe i pasur në vlera ushqyese gjithashtu.

Përgatitja e tij është trashëguar brez pas brezi e vijon edhe sot të përgatitet nga amvisat, të cilat kujdesen që rehaninë ta kenë përherë pjesë të zahireve të përgatitura për muajt e ardhshëm të vitit.

Rehania apo shurupi i rrushit është i pasur me vitamina dhe i jep organizmit fuqi dhe rezistencë ndaj virozave dhe gripit ndërsa rekomandohet edhe për shëndetin  e zemrës.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë mënyrën e thjeshtë të përgatitjes së rehanisë në shtëpi, një pije fantastike plot shije dhe vlera.

Përgatitja e Rehanisë apo Shurupit të Rrushit në Shtëpi

Përbërësit

  • 2 kg rrush i zi
  • 1 kg sheqer
  • 4-5 gota ujë

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të largoni kokrrat e rrushit nga bistakët dhe më pas t’i pastroni ato me ujë të rrjedhshëm.

Vendosini kokrrat e rrushit në një tenxhere të madhe dhe shtypini të gjitha me një lugë druri.

Më pas, shtoni sheqerin në tenxhere bashkë me ujin.

Vendoseni në zjarr që zjejë rreth 1 orë.

Gjatë zjerjes përpiquni që përmes një luge të largoni shkumën që do të krijohet në sipërfaqen e tenxheres.

Përzjeheni herë pas here.

Më pas, largojeni nga zjarri dhe lëreni të ftohet.

Kur të jetë ftohur, kalojeni masën në një kullorëse që të mund të hiqni farat dhe lëkurat e rrushit.

Lëngun e përftuar vendoseni sërish në zjarr të zjejë sërish derisa të trashet në formën e shurupit.

Kur të jetë gati vendoseni në kavanoza apo shishe qelqi të sterilizuara.

Rehania e rrushit përgatitet si pije duke hedhur tre lugë gjelle prej saj në një gotë me ujë.

Zakonisht për dhimbje fyti rekomandohet që të konsumohet një lugë gjelle e plotë rehanie e pa holluar.

Gjithashtu, rehania mund të përdoret edhe në kombinimin dhe përgatitjen e ëmbëlsirave të ndryshme./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.