Petullat janë gatime shumë të dashura e të shijshme për çdo familje në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë.
Mënyrat e përgatitjes dhe shijimit të këtyre recetave janë të pafundme në varësi të zonave ku serviren.
Kjo i bën ato shumë popullore dhe të preferuara nga të gjithë, kryesisht për shijen e mirë e të butë të brumit.
Petullat gatuhen nga nënat ose nga gjyshet në çdo stinë dhe zakonisht serviren me frutat apo zahiretë e stinës.
Këtë do të gjeni edhe në recetën e sotme të petullave me patate
Në mënyrë që të provoni sa më shumë kombinime dhe të kënaqeni nga shija e tyre e mirë, AgroWeb.org ju shpjegon këtë mënyrë të re.
Petullat me patate janë po aq të veçanta në shije sa kanë dhe emrin, prandaj duhet t’i provoni patjetër.
Ndiqeni më poshtë mënyrën e përgatitjes së tyre hap pas hapi sipas këshillave të AgroWeb.org
Përbërësit:
4 patate të mëdha
1 qepë
1 vezë e rrahur
1 lugë çaji kripë
2 lugë gjelle miell shumë-përdorimësh
Piper të zi
Vaj për skuqje
Përgatitja:
Kalojini patatet dhe qepën në rende dhe grijini hollë.
Më pas hidhini në një napë që të kullojë lëngu i tepërt.
Masën e qepës dhe patateve të grira hidheni në një enë ku duhet të shtoni vezën, kripën, piperin e zi dhe miellin.
Përziejini të gjitha bashkë sa të përgatisni një masë brumi për petulla.
Ndizeni furrën në temperaturë 100 gradë dhe sobën në temperaturë të lartë.
Në tenxheren ku do të skuqni petullat hidhni vajin dhe lëreni të nxehet.
Brumin e petullave punojeni me duar dhe jepini formën që dëshironi.
Petullat nuk duhet të jenë shumë të trasha por as të holla.
Skuqini petullat deri sa të marrin ngjyrë të artë dhe vendosini në një pjatancë ku keni shtruar letrën e kuzhinës.
Petullat vendosini në furrë që të qëndrojnë të ngrohta dhe më pas servirini./AgroWeb.org