Si të Përgatisni Palaçinkat e Fryra – Të Shpejta dhe të Lehta

1.3k 0

Palaçinkat e fryra, ose siç njihen ndryshe palaçinkat japoneze, janë perfekte për mëngjesin në familje.

Të buta e me shije delikate, këto palaçinka janë më të lehtat që do të provoni.

Disa sekrete në përgatitjen e tyre do të japi rezultatin e dëshiruar por edhe do t’ju kënaqë shqisat në maksimum.

Hapat janë shumë të thjeshtë dhe përbërësit i gjeni në kuzhinën tuaj.

Përbërësit

  • 2 të bardha vezësh
  • 35g miell
  • 25ml qumësht të vakët
  • 1 lugë çaji vanilje
  • 2 të verdha vezësh
  • 2g fryrës ëmbëlsirash
  • 25g sheqer

Përgatitja

Të bardhat e vezëve vendosini në një tas dhe vendosini në ngrirje për 10 minuta.

Ndërkohë në një tjetër tas, AgroWeb.org ju këshillon që të përzieni të verdhat e vezëve me qumështin, vaniljen, fryrësin dhe miellin.

Përziejini me telin e kuzhinës derisa të krijoni një brum kremoz dhe të hollë.

Tani e kanë radhën të bardhat e vezëve, të cilat duhet t’i punoni me rrahësin elektrik derisa të formoni merengen.

Sheqerin shtojeni gradualisht ndërkohë që i rrihni të bardhat e vezëve, kështu masa do të bëhet më e plotë dhe e qëndrueshme.

Ngadalë merengen shtojeni tek brumi që përgatitët në fillim dhe përziejeni me telin e kuzhinës.

Tregoni kujdes që të mos e përzieni shumë pasi volume i merenges nuk duhet të bjerë, vetëm kështu palaçinkat do të dalin të fryra.

Në zjarr vendosni tiganin e krepave dhe lyejeni me shumë pak gjalpë.

Kur të jetë ngrohur hidhni pak nga brumi dhe në momentin që të jetë mpiksur nga njëra anë shtoni pak ujë.

Mbulojeni tiganin me kapak dhe lëreni palaçinkat të piqen në zjarr të ulët për 2 minuta.

Pasi të ketë kaluar koha, shtoni pak brumë sipër shtresës së parë dhe kthejini nga ana tjetër.

Përsërisni hapat duke hedhur pak ujë dhe mbyllur me kapak derisa palaçinkat të piqen edhe nga ana tjetër.

Në fund këto palaçinka mund t’i shoqëroni me të kripura apo të ëmbla sipas dëshirës./AgroWeb.org