Akullore Shtëpie pa Vezë – Receta Plot Freski

2.7k 0

Kjo do të jetë receta më e shijshme e akullores kremoze që do të përgatisni në shtëpi.

Për të gjithë ata që nuk e durojnë dot aromën e vezëve në ëmbëlsira, kjo akullore do të kthehet në të preferuarën e tyre.

Përgatitja nuk do t’ju marrë aspak kohë pasi hapat janë shumë të thjeshtë për t’u ndjekur.

Shija e veçantë e çokollatës është një tjetër pikë e fortë e kësaj recete të përkryer.

Përgatiteni që sot dhe do të mrekulloheni me freskinë dhe delikatesën e saj.

Përbërësit

  • 38 g kakao
  • Gjysmë luge çaji me kafe ekspres
  • 1 lugë gjelle me niseshte
  • 1 gotë me pana
  • 1 gotë me qumësht
  • 2 lugë çaji me vanilje
  • 250 g çokollatë e grirë
  • 400 g qumësht të kondensuar

Përgatitja

AgroWeb.org ju këshillon që të nisni përgatitjen e recetës duke përzierë kakaon, kafen ekspres dhe niseshtenë në një tenxhere.

Më pas shtoni panën dhe qumështin ngadalë dhe përzjejeni derisa masa të lidhet plotësisht.

Vendoseni tenxheren në zjarr dhe duke e përzierë pa ndërprerje lëreni të vlojë për 5-10 minuta.

Ndërkohë shtoni vaniljen dhe lëreni masën që të ziejë edhe për dy minuta dhe largojeni nga zjarri.

AgroWeb.org ju sugjeron që çokollatën ta grini me ndihmën e një thike dhe copëzat t’i shtoni tek masa e përgatitur.

Përzjejeni derisa e gjithë çokollata të ketë shkrirë dhe masa të jetë e njëtrajtshme dhe kremoze.

Tani është radha e qumështit të kondensuar.

Duke qenë se ky produkt përdoret si ëmbëlsues, receta nuk ka nevojë për sheqer.

Pasi ta keni përzierë mirë sasinë e qumështit të kondensuar kalojeni masën në një tas dhe futeni në frigorifer.

Lëreni në frigorifer të paktën 3-4 orë, që të ftohet e më pas përzjejeni dhe njëherë me rrahësin elektrik.

Tani kalojeni në ngrirje dhe lëreni të pushojë për 6-8 orë.

Ju mbetet vetëm ta servirni për të dashurit tuaj e të shijoni akulloren delikate./AgroWeb.org