Bibë e Pjekur me Oriz nga Tradita Myzeqare

5.7k 0

Myzeqeja nuk është vetëm hambari me fruta perime i Shqipërisë. Ajo spikat padyshim edhe në kulinarinë e saj me gatimet tipike, tradicionale të saj.

Më poshtë ju sjellim recetën autentike të dërguar nga lexuesja e AgroWeb.org zonja Adriana Mile, atë të përgatitjes së tavës me Bibë (mish i zogut të Patës ose Rosës) dhe Oriz të pjekur në saç.

Receta e Bibës me Oriz është traditë tipike e zonës së Myzeqesë, madje aq shumë popullor është ky gatim sa myzeqarët kanë dedikuar një ditë të veçantë ku kremtojnë “Festën e Bibës”.

Sipas shumë banorëve të vjetër myzeqarë, kjo festë i kushtohet një këtij gatimi të mrekullueshëm të amvisave myzeqare, bibës me oriz në saç dhe lidhet me një tjetër festë që banorët atje kremtonin dikur, “Festën e Të korrurave”.

Myzeqarët e vjetër thonë se Festa e Bibës lindi shumë vite më parë, kur pas nisjes fushatës së korrjes dhe shirjes së grurit me autokombajna, banorët mblidheshin dhe festonin punën dhe bereqetin.

Me këtë rast, amvisat myzeqare përgatisnin me mjeshtërinë e tyre tavën me bibë dhe oriz në saç.

Që atëherë kjo është shndërruar në një festë popullore në zonën e Myzeqesë.

Tradita e do që ky gatim të piqet mbi prush e nën saç, por patjetër që shija e saj është po aq fantastike edhe kur piqet në furrë ndaj dhe AgroWeb.org ju këshillon përgatitjen e saj në shtëpi.

Përgatitja e Bibës me Oriz sipas Traditës Myzeqare

Përbërësit

  • 1 Bibë
  • 1 kg oriz
  • 2 l ujë
  • 2 kokrra qepë mesatare
  • 3-4 domate mesatare
  • Vaj ulliri
  • Kripë
  • Kopër

Përgatitja

Vendosni një tenxhere në zjarr dhe shtoni aty vajin e ullirit dhe qepët e grira hollë. Kaurdisini për pak dhe më pas shtoni thelat e bibës. Kaurdisini për pak minuta nga të dyja anët sa mishi të humbasë ngjyrën e kuqe.

Më pas, shtoni domatet e grira në rende, dhe lërini të ziejnë bashkë me qepën dhe mishin e bibës për pesë minuta.

Hidhini ujin dhe lëreni të ziejë. Për të provuar nëse mishi është zierë sa duhet, AgroWeb.org ju këshillon të provoni nëse mishi shkëputet nga pjesa e fundit të kofshës së bibës.

Në këtë moment, hidhni orizin dhe lëreni në tenxhere për 4-5 minuta. Rregullojeni masën me kripë, piper dhe kopër dhe shtrojeni në një tepsi.

Sipas traditës tava piqet në saç, në mungesë të tij ajo futet në furrë dhe piqet derisa të marrë në sipërfaqe ngjyrën e pjekjes./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.