Biskotat zakonisht përgatiten me vezë dhe gjalpë, duke qenë se janë dhe përbërësit kryesor të recetave.
AgroWeb.org ju tregon sot një tjetër mënyrë si të mund të përgatisni këto ëmbëlsira perfekte pa këto dy produkte kryesore.
Tek kjo recetë rolin kryesor e luan qumështi, i cili i jep një butësi biskotave duke i kthyer në të preferuarat e të gjithë pjesëtarëve të familjes.
Janë fantastike për t’u shoqëruar me kafe në mëngjes, apo me qumësht për fëmijët.
Përbërësit për 40 biskota
- 150ml qumësht
- 120ml vaj misri ose luledielli
- 120g sheqer
- Lëkura e një limoni
- 1 pako me vanilje pluhur
- 8g fryrës ëmbëlsirash
- 450g miell
Përgatitja
Për të përgatitur këto biskota perfekte pa gjalpë dhe vezë, nisni me përzierjen e qumështit, vajit dhe sheqerit në një tas.
Më pas shtoni edhe lëkurën e grirë të një limoni, pakon me vanilje dhe atë të fryrësit për ëmbëlsira.
Pasi të keni kryer të gjitha këto hapa, AgroWeb.org ju këshillon që të shtoni ngadalë miellin.
Brumin punojeni me duar derisa t’ju duhet ta kaloni në tavolinë.
Punojeni mirë derisa brumi i biskotave të jetë i butë dhe elastik.
Ndërkohë pasi të keni mbaruar me brumin, në një tas hidhni pak sheqer, i cili do të shërbejë për të spërkatur sipërfaqen e biskotave.
Ndani brumin dhe me duar formoni një shirit në formën e cilindrit diku tek 2cm të gjerë.
Kur të keni formuar cilindrin e parë nisni të prisni me thikë pjesë të vogla nga brumi.
Gjatësia e biskotave të jetë diku tek katër centimetra, kështu ato nuk do të thahen brenda.
Pasi t’i keni prerë, AgroWeb.org ju sugjeron që t’i kaloni tek tasi me sheqer duke i krijuar një shtresë të hollë në sipërfaqe.
Vendosini biskotat në një tavë të shtruar me letër pjekjeje me hapësirë nga njëra tjetra.
Piqini në furrë me 180 gradë për 20 minuta.
Kur biskotat të jenë ftohur lërini të ftohen plotësisht dhe më pas mund t’i shërbeni apo t’i vendosni në një enë me kapak për t’i ruajtur deri në 7-8 ditë./AgroWeb.org