Bukë me Kollomboqe – Shija e Vjetër e Traditës në Tryezat Tuaja

3.8k 0

Edhe pse bukën e misrit mund ta keni provuar në shumë mënyra, kjo mbase mund të jetë më e shijshmja

Kjo është një recetë tradicionale e Kosovës, të cilën AgroWeb.org e sjell për lexuesit e saj.

Kollomboqet nuk janë asgjë tjetër veçse misrat, të cilët të bluar përdoren për përgatitjen e kësaj buke.

Mënyra tradicionale e gatimit të saj kërkon pak kujdes dhe vëmendje pasi bëhet me ujë të ftohtë.

Por AgroWeb.org ju tregon një version më të shpejtë dhe të thjeshtë të përgatitjes së saj pa i ndryshuar shijen.

Përbërësit:

  • 1 kg miell misri
  • 700ml ujë i valuar
  • 3-4 lug gjelle kos

Përgatitja

Në një tavë hidhni miellin e misrit dhe në mes hapini një gropëz ku do të hidhni ujin e zier dhe të nxehtë.

Në fillim punojini përbërësit me një lugë druri sa të fillojnë të lidhen.

Mielli i misrit do të ketë përthithur sasinë e ujit dhe do të jetë ftohur pak, tani AgroWeb.org ju sugjeron që ta punoni brumin me duar.

Hapeni brumin herë horizontalisht e herë vertikalisht duke e mbledhur më pas në një topth.

Pasi ta keni punuar për disa minuta brumi është gati që të piqet.

Merrni një tavë dhe lyejeni atë me vaj ulliri, shtroni aty brumin duke e përhapur në të gjithë sipërfaqen.

Mundohuni që të krijoni një shtresë të njëtrajtshme pasi kështu edhe pjekja do të jetë e barabartë.

Në fund lyejeni brumin me kos dhe futeni në furrë për t’i pjekur me 180 gradë.

Kjo bukë mund të shoqërohet me çdo pjatë tjetër, duke nisur nga sallatat e deri tek të ëmblat siç janë reçelrat dhe mjalti.

Nëse dëshironi t’i jepni më shumë shije mund t’i shtoni djathë të bardhë të thërrmuar apo djathë kaçkavall.

Bukën më pas mund ta ruani deri në tri ditë nëse e mbuloni me pecetë apo qese letre./AgroWeb.org