Bukëvale në Shtëpi – Ideale Për Një Darkë të Ngrohtë e të Shijshme

4.9k 0

E ëmbël apo e kripur, bukëvalja mbetet përherë një nga gatimet më të hershme e të shijshme të kuzhinës tradicionale shqiptare.

Dikur, bukëvalja përgatitej shpesh për shkak të përbërësve të saj të pakët e jo të kushtueshëm, e megjithatë shija e saj të përfshin tërësisht.

Zakonisht nënat apo gjyshet e përgatisnin atë mëngjeseve dhe e shërbenin për gjithë familjen të ngrohtë.

Bukëvalja përgatitej e ëmbël me sheqer e gjalpë por edhe e kripur me djathë dhe erëza.

Që të dyja mënyrat janë krejt të veçanta në shije dhe ideale kurdoherë që ta përgatisni.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë një recetë fantastike të përgatitjes së bukëvales së ëmbël sipas traditës së nënave gjirokastrite.

Në disa zona, bukëvalja përgatitet me bukë të skuqur, por sipas traditës së aneve gjirokastrite bukëvalja përgatitet me kulaç.

Përgatitja e Bukëvales sipas traditës gjirokastrite

Përbërësit

  • 500 gr miell gruri
  • Një lugë kafeje kripë
  • 125 gr gjalpë i freskët
  • 1 litër e gjysmë ujë
  • 500 gr sheqer

Përgatitja

Si fillim, në një enë të gjerë shtojmë miellin, kripën dhe nisim e punojmë me duar duke shtuar ngadalë ujë të vakët derisa të krijohet një masë e butë

Brumin e kulaçit vendoseni në një tepsi të lyer me gjalpë të freskët dhe futeni të piqet në furrë derisa sipërfaqja të bëhet transparente.

Pasi është pjekur dhe ftohur pak, AgroWeb.org ju udhëzon që kulaçin ta thërrmoni në copëza të vogla si ato të përsheshit.

Ndërkohë, në një tenxhere shtoni sheqerin dhe ujin dhe lëreni derisa masa të vlojë mirë dhe të behët si shurup. Në këtë moment hiqeni nga zjarri.

Më pas, hidhni kulaçin e thërrmuar në tenxheren me shurup. Shtoni sipër gjalpë të tretur, mbylleni tenxheren me kapak dhe lëreni që copëzat e kulaçit të përthithin sherbetin.

Lëreni të ftohet dhe shërbejeni të ndara në pjata. Bukëvales nëse preferoni mund t’i shtoni edhe pak kanellë pluhur apo arra të thërrmuara./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.