Cila është Mënyra më Perfekte e Përgatitjes së Pilafit në Shtëpi

4.8k 0

Orizi është një nga sfidat më të mëdha të gatimit.

Të gjithë që kanë përgatitur ndonjëherë pilafin, e dinë që rezultati nuk është asnjëherë njësoj.

Ndodh që njëherë të dali pak i fortë dhe i thatë, herë të tjera del shumë i ujshëm.

AgroWeb.org ju tregon mënyrën se si të përgatisni pilafin më të shijshëm sa herë që të gatuani.

Çfarë ju nevojitet

  • Ujë
  • Një tenxhere me kapak
  • Kripë
  • Oriz
  • Dy lugë gjelle vaj ulliri
  • Lugë druri
  • Pirun

Përgatitja

Në një tenxhere shtojmë ujin (për çdo gotë me oriz do të hedhim dy gota me ujë) dhe hedhim vajin e ullirit dhe një lugë gjelle me kripë.

Për më shumë shije dhe vlera në vend të ujit mund të përdorni lëng mishi, lëng pule apo lëng perimesh.

Vendoseni tenxheren në zjarr të lartë dhe lëreni që të ziejë.

Sapo të ketë zierë, shtojmë orizin, dhe me lugën e drurit sigurohemi që kokrrizat të mos ngjiten në fundin e tenxheres.

AgroWeb.org ju këshillon që të mos e përzieni shumë, pasi orizi do të bëhet shumë i butë dhe me lagështirë.

I vendosim tenxheres kapakun, dhe ulim zjarrin.

E lëmë orizin që të ziejë për rreth 18 minuta, më pas do ta largojmë nga zjarri, dhe ashtu në tenxhere do ta lëmë dhe 5 minuta të tjera.

Para se ta shërbeni, me ndihmën e një piruni e përzieni me shumë kujdes. Kështu avulli i tepërt nuk do krijojë lagështirë.

Është e rëndësishme që tenxheres të mos ia hiqni kapakun apo që ta trazoni orizin gjatë kohës që ai është duke zierë.

Nëse pilafi është bërë para se ta shërbeni, hiqeni kapakun dhe në vend të tij vendosni një pecetë kuzhine.

Ajo do të thithë lagështirën dhe do të ruaj që orizi të mos bëhet i butë më shumë seç duhet.

Një mënyrë tjetër e zakonshme e përgatitjes së pilafit është ajo e skuqjes së orizit e më pas hedhjes së ujit të valuar në të.

Vlerat Shëndetësore

Fibra e orizit është shumë e mirë për sistemin tretës.

Studimet kanë treguar se një regjim ushqimor i pasur me fibër është i dobishëm në menaxhimin e kolesterolit dhe uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, orizi  përmban disa minerale siç është hekuri dhe vitaminat B. /AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.