Diku njihet me emrin Hasude, diku tjetër tjetër me emrin Reshedi e diku tjetër edhe Revani e pjekur.
Por ajo që nuk ndryshon është fakti që mbetet gjithmonë një nga specialitetet që është përgatitur nga të gjitha trevat shqiptare.
Mënyrat e përgatitjes së saj janë të shumta, dhe amvisat me siguri i kanë provuar, ama nuk ka si hasudja e pjekur.
Të gjithë mund t’i keni shijuar recetat e saj të ndryshme, por AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë se si të përgatisni hasuden e pjekur krejt lehtë në shtëpi.
Receta e saj kërkon pak durim dhe kujdes por rezultati në fund do t’ju kënaqë me patjetër nepsin dhe oreksin me shijen e saj.
Receta e Hasudes në Tavë
Përbërësit
- 200 gr niseshte
- 100 gr gjalpë
- 150 gr sheqer
- Një filxhan kafeje me qumësht
- 600 ml ujë
- 200 g bajame të thërrmuara
Përgatitja
Si fillim hidhni në një tenxhere gjysmën e sasisë së ujit që duhet në përgatitjen e hasudesë. Shtoni aty sheqerin dhe gjalpin e shkrirë.
Tenxheren vendoseni në zjarr të ngadaltë.
Në vijim, AgroWeb.org ju udhëzon që në një enë tjetër të tretni niseshtenë me pjesën tjetër të ujit.
Në momentin që masa që kemi vendosur në zjarr nis të vlojë shtojmë nga pak niseshtenë e tretur duke trazuar masën në mënyrë të pandërprerë.
AgroWeb.org ju sugjeron që të përdorni një lugë druri gjatë përzierjes ose një rrahëse vezësh.
Përziejeni pa ndërprerje derisa masa të shkëputet lehtë nga anët e tenxheres.
Në fund, shtoni edhe bajamet të cilat t’i keni thërrmuar pak me petës.
Më pas, masën e kalojmë nga tenxherja në një tavë duke e shtrirë në të gjithë sipërfaqen e saj në mënyrë të njëtrajtshme.
Në vijim, mbi hasuden që kemi vendosur në tavë hedhim qumështin dhe e përhapim në të gjithë sipërfaqen e saj.
Në disa raste, amvisat përdorin edhe një të verdhë veze të përzierë me qumështin dhe me të lyejnë sipërfaqen e hasudes.
Më pas, tavën futeni në furrën e parangrohur me 200 gradë. Lëreni të piqet përreth 40 minuta derisa sipërfaqja të marrë ngjyrë të kuqërremtë të artë.
Hasudja shërbehet e ftohtë dhe shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me fruta të ndryshme të freskëta por edhe të thata./AgroWeb.org
Lini një Përgjigje