Kasatë e Freskët me Frutat e Stinës – Shije Fantastike

1.6k 0

Luleshtrydhet e fushës në këto muaj janë të freskëta dhe plot shije, ndaj dhe janë përbërësi fantastik për ëmbëlsira perfekte.

AgroWeb.org sot ju sugjeron që të provoni kasatën fare të thjeshtë me luleshtrydhe.

Me shumë pak përbërës dhe në shumë pak kohë ju do të keni përgatitur në shtëpi këtë ëmbëlsirë freskuese.

Ndiqni me kujdes hapat e shpjeguara në recetë dhe shijojeni me familjarët tuaj.

Përbërësit

  • 2 të bardha vezësh
  • 30ml ujë
  • 200ml pana
  • 150g sheqer
  • 300g luleshtrydhe

Përgatitja

Si fillim do të përgatisni salcën me luleshtrydhe të cilën do ta përdorni për t’i dhënë shije kasatës.

Lani dhe prini në copa të vogla luleshtrydhet dhe kalojini në mikser derisa të keni formuar salcën.

Ndërkohë në një tenxhere të vogël hidhni ujin dhe sheqerin dhe vendoseni që të ziejë.

AgroWeb.org ju këshillon që të tregoni kujdes dhe që sherbetin ta linin në zjarr të ulët.

Mundohuni ta përzieni herë pas here që të siguroheni që kokrrat e sheqerit të jenë tretur.

Në një tas të madh keni hedhur të bardhat e vezëve dhe punojini me rrahësin elektrik.

Kur të shihni që sherbeti ka nisur të vlojë hiqeni nga zjarri dhe hidheni ngadalë tek vezët.

Bëni kujdes që të jeni duke e përzier gjatë gjithë kohës merengen.

Masa do të jetë e ngjitshme dhe plot shkëlqim.

Tani e ka radhën pana e ëmbëlsirave të cilën edhe atë duhet ta rrihni derisa të formohet shkuma e bardhë dhe e plotë.

Salcën e luleshtrydheve AgroWeb.org ju këshillon që ta përzieni tek merengia duke e shtuar ngadalë.

Pasi të keni kryer këtë hap bashkoni panën duke e përzierë masën me një spatul.

Lëvizjet duhet të jenë rrethore dhe nga lart poshtë, kështu volume i vezëve dhe panës nuk do të bjerë.

Ky hap është i rëndësishëm pasi vetëm kështu kasata do të dali kremoze dhe perfekte.

Kur të keni mbaruar edhe me panën kalojeni masën në një enë në të cilën keni shtruar një qese kuzhine apo letër pjekjeje.

Futeni enën në frigorifer dhe lëreni për 12 orë në ngrirje në mënyrë që të mpikset siç duhet.

Kur te ketë kaluar koha e nevojitur nxirreni enën nga ngrirja dhe kthejeni kasatën në një pjatë.

Hiqni me kujdes qesen e kuzhinës dhe mund ta spërkatni me pak reçel ose me fruta të karamelizuara./AgroWeb.org