Kek me Qumësht të Ngrohtë – Receta me Shije Mahnitëse

7.3k 0

Një ëmbëlsirë e famshme për butësinë dhe shijen e saj të lehtë, që të mrekullon.

AgroWeb.org ju sjell recetën e kekut me qumësht të ngrohtë, që pasi ta provoni, do të kthehet në të preferuarën tuaj.

Në pamje të parë, mund t’ju ngjaj me pandispanjën, por në të vërtetë ka një ndryshim thelbësor në përgatitjen e brumit.

Qumështi i ngrohtë e karakterizon këtë recetë, dhe e bën kekun unik.

Nëse nuk e keni dëgjuar më parë, zbulojeni se si përgatitet vetëm në disa hapa.

Jemi të sigurt që keni për t’u mahnitur me ëmbëlsinë delikate që e karakterizon.

Përbërësit për një tavë mesatare 

  • 200 g qumësht i ngrohtë
  • 200 g miell
  • 180 g sheqer
  • 60 g gjalpë
  • 4 vezë
  • 6 g fryrës për ëmbëlsira ose sodë buke
  • Pak kripë
  • Lëkura e një limoni

Si të përgatisni kekun me qumësht të ngrohtë

Për të realizuar këtë recetë, AgroWeb.org ju udhëzon të filloni duke vendosur telin e furrës në shkallën më të ulët dhe duke e parangrohur në 180 gradë Celsius.

Në një tas hidhni vezët, shtoni pak fare kripë dhe rrihini me telin e kuzhinës.

Filloni të shtoni gradualisht sheqerin, gjithmonë duke e përzjerë me telin e kuzhinës.

AgroWeb.org ju këshillon që të vazhdoni procesin derisa masa të ketë marrë një ngjyrë të lehtë të verdhë, dhe kokrrizat e sheqerit të jenë tretur.

Më pas sitni të gjithë miellin dhe sodën e bukës, shtojeni tek tasi ku keni vezët dhe sheqerin.

Përzjejeni me një lugë duke e lëvizur nga poshtë lart, derisa të formohet një masë kompakte, dhe përbërësit të jenë bashkuar.

Në një xhezve vendosni qumështin që të ngrohet me zjarr mesatar, më pas shtoni dhe sasinë e gjalpit.

Duhet ta përzjeni me një lugë sa gjalpi të shkrihet, dhe ta hiqni nga zjarri para se ai të fillojë të vlojë.

Këtë masë e shtojmë tek brumi i formuar më parë, dhe e përzjejmë derisa përbërësit të krijojnë një masë homogjene.

Në një tavë, pasi ta keni lyer me gjalpë dhe spërkatur me pak miell, hidhni brumin e kekut.

Vendoseni tavën në furëë me telin në shkallën më të ulët të furrës, dhe lëreni të piqet përreth 35 minuta.

Kur të kenë kaluar 25 minutat e para, ngrijeni tavën në lartësinë mesatare të furrës.

Që të kuptoni nëse keku është gati, mjafton vetëm ta shponi me një thikë, nëse sipërfaqja e saj del e pastër, keku është pjekur.

Pasi ta nxirrni nga furra, kalojeni në një pjatë të madhe që të ftohet totalisht.

Më pas mund ta shijoni kekun tuaj me qumësht të ngrohtë.

Mund ta kombinoni duke i hedhur në sipërfaqe pak mjaltë, reçel, çokollatë të shkrirë, apo dhe thjeshtë duke e spërkatur me sheqer pluhur për të shoqëruar kafen apo çajin.

Duke qenë se është e thjeshtë në shije, mund të jetë perfekt dhe për mëngjeset e shpejta, por dhe si ëmbëlsirë pas vaktit të drekës. /AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.