Supë me Kritharaqe – Receta e Ngrohtë e Dimrit

2.5k 0

Nëse jeni sëmurë një pjatë supë ju gjallëron organizmin, nëse keni ftohtë përsëri është idealja.

E nëse ju ka marrë uria dhe doni një gatim të lehtë e plot shije, me siguri që do të përgatisni një pjatë supë nga e preferuara juaj.

Duket sikur një pjatë supë mund të zgjidhë çdo problem që mund të keni.

Prandaj edhe në recetën e sotme Agroweb.org ju këshillon që të përgatisni një pjatë të veçantë supe.

Baza janë makaronat e vogla kritharaqe dhe salca e domateve të cilat do t’ju dhurojnë një shije të ngrohtë dhe aromë të mrekullueshme në çdo kohë.

Përbërësit

  • 1 lugë gjelle vaj ulliri
  • 1 lugë gjelle salcë domatesh
  • 100 gr domate të freskëta
  • 1 lugë çaji nenexhik i tharë
  • 5 gota ujë
  • 40 gr makarona kritharaqe
  • gjysmë luge çaji kripë
  • gjysmë luge lëng limoni
  • majdanoz

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon që të hidhni vajin e ullirit në një tenxhere.

Vëreni në zjarr dhe lëreni të ngrohet pak, më pas shtoni salcën e domateve dhe domatet e grira, duke përzier vazhdimisht.

Në fund shtoni edhe nenexhikun ose menten e tharë për një shije më të freskët të salcës.

Lëreni në zjarr mesatar derisa të trrashet, por beni kujdes që mos trrashet më shumë nga sa duhet.

Më pas shtoni ujin, vazhdoni me përzierjen dhe lëreniujin të ziejë derisa të jetë i nxehtë.

Kur kjo të ndodhë, shtoni kritharaqet bashkë me pak majdanoz të grirë dhe lëreni supën tuaj të ziejë.

Lëreni tenxheren në zjarr derisa makaronat të jenë zbutur dhe të jenë gatuar mirë edhe brenda.

Për ta kuptuar këtë mjafton ta provoni supën tuaj herë pak here.

Shtoni në fund lëngun e limonit bashkë me kripën dhe vazhdoni me përzierjen.

Kjo do t’i shtojë supës tuaj me kritharaqe edhe më shumë shije të veçantë.

Hiqeni nga zjarri, lëreni në temperaturë ambienti për disa momente dhe shpërbejeni të ngrohtë./AgroWeb.org