Lakror me Lakra të Njoma të Stinës – Shije Fantastike Shtëpie

3.5k 0

Falë prushit dhe nxehtësisë së tij të avashtë, tepsitë me gatimet e pjekura marrin një shije të veçantë.

Tradita shqiptare e gatimit është e pasur me shije e aroma të dashura, ndonjëherë mistike, pas të cilave shumëkush që i ka provuar, ka mbetur i magjepsur.

Mes mjeshtërisë së recetave në kuzhinën shqiptare padyshim tradita unike e lakrorit të fshatit është më tërheqësja e shijes jo vetëm për shqiptarët por më së shumti për turistët e huaj, të cilët lënë mendjen pas tij.

Lakrori njihet si traditë e Korçës dhe zonave përreth saj, tradita e do që ai të piqet në saç, një mënyrë tipike e moçme shqiptare e pjekjes së lakrorëve, byrekëve apo tavave të ndryshme me perime në prush.

Falë prushit dhe nxehtësisë së tij të avashtë, tepsitë me gatimet e pjekura marrin një shije të veçantë.

Lakrorët mund të kombinohen me një larmi produktesh, lakrorë me djathtë e qumësht, me qepë e domate, me spinaq apo me presh por lakrori i fshatit me lakra të egra është më i mrekullueshmi i të gjithëve. Ai ka jo vetëm një shije unike, por dhe vlera të larta ushqyese që vijnë nga lakrat e egra me të cilat përgatitet.

AgroWeb.org sjell sot recetën e Lakrorit të Fshatit, krejt lehtë për t’u përgatitur vetë në shtëpi.

Përgatitja krejt lehtë në shtëpi 

Përbërësit:

  • 200 gr Spinaq
  • 200 gr Pazi
  • 200 gr Lëpjetë
  • 200 gr Labot
  • 200 gr Hithra
  • 500 gr Miell
  • 250 ml Ujë
  • 10 gr Kripë
  • 200 gr Djathë i thërrmuar
  • Vaj Ulliri
  • Gjalpë
  • Sodë Buke
  • 1 Qepë

Përgatitja e Lakrorit të Fshatit në Shtëpi

Si fillim, përgatisim brumin, duke hedhur në një tas të madh miellin. Pasi bëjmë një gropë në mesin e miellit hedhim kripën, sodën dhe i përzjejmë me dorë.

Në këtë moment nisim të shtojmë ujë të vakët derisa brumi të krijohet në një masë të butë dhe të përshtatshme për t’u hapur në formën e petës.

Brumin e përftuar e mbulojmë me një pecetë të pastër. E lëmë përreth gjysmë ore që të fryhet ndërsa nisim përgatitjen e lakrave të egra.

Qepën e grirë hollë e hedhim në një tigan të madh ku e skuqim me 4 lugë vaj ulliri derisa volumi i qepës të ulet dhe të marrë një ngjyrë të artë.

Më pas, hedhim lakrat, të cilat më parë i kemi pastruar dhe i kemi zjerë me një valë.

Kaurdisim qepët me lakrat e egra derisa të njëtrajtësohen e më pas hedhim djathin e thërrmuar dhe pak kripë.

I përzjejmë për dy minuta. Për të përftuar një masë pak të trashë të gjellës, në një gotë të vogël hedhim një lugë miell dhe e tretim me dy lugë kos.

Këtë masë, më pas e shtojmë tek lakrat e egra dhe përzjejmë masën. Të njëjtën gjë mund të bëjmë edhe me qumësht në vend të kosit.

Procesi i pjekjes në furrë apo në saç

Pasi e përgatisim gjellën me lakrat e egra, e lëmë të ftohet. Gjatë kësaj kohe brumi është gati për t’u punuar.

Brumin e ndajmë në dy pjesë, ku pjesa e sipërme duhet të jetë më e vogël se e poshtmja.

Pasi hapim petën e poshtme e shtrojmë në tepsi, të cilën e kemi lyer njëtrajtësisht me vaj ulliri, hedhim mbushjen me lakrat e egra në të gjithë petën që kemi shtruar më parë.

Ndërkohë, hapim petën e dytë më të madhe dhe e vendosim sipër duke i kthyer pak anët.

Në mungesë të saçit tradicional, fare mirë lakrorin mund t’a pjekim në furrë në 180 gradë për 20-30 minuta deri sa të marrë pjekjen e duhur.

Në fund të përgatitjes, pasi lakrori është pjekur e nxjerrim nga furra dhe e lyejmë me një lugë gjalpë fshati./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.