Lakrori i Lunxhërisë – Receta Unike e Sofrës Shqiptare

4.1k 0

Një recetë shumë e vjetër por shije plotë dhe unike në mënyrën e përgatitjes dhe përbërësve të saj.

Sekreti i shijes fantastike të këtij lakrori është përbërësi kryesor i tij, Bollguri, i cili është një drithë që prodhohet nga disa lloje gruri.

Bollgurin mund ta gjeni lehtësisht edhe në supermarketet e vendit tonë duke qenë se ky drithë ka qenë gjithnjë pjesë e gastronomisë shqiptare dhe kosovare.

Një nga traditat më fantastike të krahinës së Lunxhërisë është përgatitja e lakrorit me bollgur, ai ka një shije fantastike shume të veçantë dhe është tipik tradicional shqiptar.

AgroWeb.org sjell më poshtë recetën autentike të grave dhe nënave të Lunxhërisë, një recetë fantastike që kjo krahinë vijon ta ruajë si traditë edhe sot.

Përgatitja e Lakrorit të Lunxhërisë

Përbërësit

Për një tavë mesatare duhen:

  • 3-4 gota uji me miell gruri (për petët) ose petë që mund t’i gjeni në supermarkete
  • 2 gota uji me bollgur
  • 3 lugë gjelle gjalpë
  • 2 kokrra vezë
  • 3 lugë gjelle djathë i thërrmuar
  • Kripë

Përgatitja

Pasi përgatitet brumi (si për byrek) hapet në petë të holla.

Bollguri (e gjeni në supermarkete) futet në një tenxhere me ujë të ngrohtë (30 minuta), që të bymehet.

Më pas vendoset që të ziejë. Përzihet vazhdimisht me lugë druri që të mos ngjitet. I shtohet qumësht dhe lihet të ziejë edhe 2-3 minuta të tjera.

Hiqet nga zjarri dhe pasi ftohet, i hidhen vezë, djathë i thërrmuar dhe gjalpë.

Në një tavë të lyer me gjalpë shtrohet gjysma e petëve, të cilat spërkaten me disa pika gjalpë të shkrirë ose vaj ulliri.

Hidhet bollguri i përgatitur dhe sipër tij vendosen petët e tjera, spërkatet me gjalpë dhe futet të piqet në furrë.

Ndërkohë, bollgurin mund ta përgatisni edhe ndryshe.

Në këtë rast, përgatiten më pak petë.

Shtrohen petët dhe lihen me anët e varura jashtë tavës.

Pasi hidhet bollguri, petët anash mblidhen në rrudha, duke e lënë mesin e tavës të hapur.

Spërkatet me gjalpë edhe piqet.

Kjo është mënyra që përdoret më zakonisht në krahinën e Lunxhërisë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.