Makarona me Salcë Domatesh të Pjekura – Receta e Veçantë që Duhet ta Provoni

1.8k 0

Makaronat janë gjithmonë një zgjidhje si për drekë po ashtu edhe për darkë.

Ato përgatiten shpejt dhe mund të formoni receta nga më të rejat në varësi të perimeve apo produkteve të tejra që keni në frigorifer.

Ato që përdoren më shumë janë makaronat e shoqëruara me salcë domatesh.

Shija e salcës pak të athët dhe e pasuruar me erëza i kthen makaronat e zakonta në një pjatë të parezistueshme.

AgroWeb.org sot ju sugjeron që të provoni një recetë të re për makaronat tuaja.

Është përsëri me domate, por këtë herë i pisni në furrë. Domatet, jo makaronat.

Përbërësit

  • 450g makarona
  • 20-30 domate të vogla të pjekura
  • Vaj ulliri
  • Kripë
  • Rozmarinë

Përgatitja

Për këtë recetë është e mira që të zgjidhni domatet e vogla qershi ose domatet gjatoshe italiane të cilat kanë tul.

Por mund të përdorni edhe domatet e tjera siç janë ato zemërkau, por mjafton që t’i prisni në feta.

Pasi të keni larë me ujë të bollshëm domatet që keni përzgjedhur, thajini mirë me një letër kuzhine.

Ky hap është shumë i rëndësishëm për pjekjen që do të vijë më vonë.

Nëse domatet kanë lagështirë nga jashtë nuk do të thahen ashtu siç duhet në furrë.

Pasi t’i keni tharë mirë, AgroWeb.org ju sugjeron që të filloni t’i prisni domatet në dy pjesë.

Në një tavë shtroni një letër pjekjeje dhe rreshtoni aty domatet.

Futini në furrë të ngrohur me 180-200 gradë dhe lërini të piqen për 30-40 minuta.

Ndërkohë, AgroWeb.org ju sugjeron që të vazhdoni me përgatitjen e makaronave.

Mbushni tenxheren me ujë dhe vendoseni për të zier.

Kur të formohen bulëza shtoni kripën dhe më pas makaronat tuaja të preferuara.

Pasi makaronat të kenë zierë, kullojini dhe përziejini lehtë me pak vaj ulliri që të mos ngjiten me njëra tjetrën.

Tani e kanë radhën domatet. Nxirrini nga furra dhe kalojini në një tigan ku keni hedhur pak vaj ulliri.

Skuqini lehtë dhe jepini shije me kripë dhe rozmarinë të freskët të cilën e keni grirë hollë.

Lejojini që të avullojnë pak lagështirën e mbetur dhe më pas shtoni aty makaronat.

Psi t’i keni lënë pak të marrin shije mund t’i shërbeni./AgroWeb.org