Mënyra Perfekte e Përgatitjes së Tavës së Dheut në Shtëpi

18.6k 0

Tava e dheut është një ndër gatimet më speciale nga tradita e Shqipërisë së Mesme.

Nga kuzhinat më të vjetra të shtëpive përdhese, të gatuara në zjarrin e oxhakut e deri sot në restorantet më prestigjiozë, Tava e Dheut vijon të ruajë traditën e shijes së mirë shqiptare.

Vërtetë, një traditë e Shqipërisë së Mesme, Tava e Dheut sot është ndër më të veçantat e kuzhinës shqiptare në tërësi. Shumë e preferuar nga shqiptarët, mahnitëse për turistët e huaj.

E gatuar nga tradita dhe mjeshtëria e duarve të amvisave shqiptare.

Kjo gjellë fantastike shërben jo vetëm si një vakt fantastik e i shijshëm, por edhe si një pjatë speciale për të kënaqur shijen e të ftuarve në raste festash e dasmash gjithashtu.

Me përbërës të thjeshtë, por të kombinuar në mënyrë fantastike dhe e pasuruar me erëza, kjo gjellë e gatuar në tavat tipike prej balte vjen me një shije të jashtëzakonshme që kënaq plotësisht shijen, organizmin dhe mendjen gjithashtu.

AgroWeb.org u sugjeron recetën tipike të trashëguar brez pas brezi në përgatitjen e tavës së dheut krejt lehtë në shtëpi.

Përgatitja e Tavës së Dheut në Shtëpi  

Përbërësit

  • 500 gr mish viçi (ose mëlçi viçi sipas preferencës)
  • 300 gr gjizë fshati
  • 1-2  kokrra qepë të thata
  • 3 domate të kuqe, të bëra mirë
  • Kripë
  • Piper
  • 8 thelpinj hudhre
  • Dy lugë gjelle uthull (sipas preferencës)
  • Vaj ulliri
  • Spec djegës

Përgatitja e gjellës në tavat e baltës

Grijmë qepët hollë dhe i hedhim në një tenxhere dhe i kavërdisim disa minuta në zjarr me pak vaj ulliri.

Në momentin që volumi i qepëve nis të bjerë, dhe qepët marrin një ngjyrë të verdhë në të artë shtojmë mishin e prerë në kubikë dhe vijojmë t’i kavërdisim për disa minuta.

Më pas shtojmë uthullën dhe vijojmë kavërdisjen derisa mishi ta përthithë plotësisht.

Në këtë moment shtojmë domatet e grira në rende, shtojmë kripën, piperin, specin djegës dhe hudhrën gjithashtu.

I kavërdisim të gjitha bashkë, hedhim gjizën dhe një gotë me ujë dhe i lëmë në zjarr të ziejnë derisa domatja të shkrijë tërësisht.

E heqim nga zjarri dhe nisim mbushjen e tavave të baltës.

Tavat i vendosim  në furrën e paranxehur dhe i lëmë të piqen për maksimumi 25 minuta.

Tava e dheut serviret e ngrohtë, e sapo dalë nga furra.

Shoqërohet në mënyrë fantastike me sallata të ndryshme të perimeve të freskëta apo të pjekura./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.