Mesnik me Trahana – Receta e Veçantë e Byrekut me Mish Pule

4k 0

Mesnikun tradicional e përgatisim me mishin e pulës së detit, por tanimë ai mund të bëhet edhe me mish pule.

AgroWeb.org sot ju sjell një recetë krejt të veçantë e cila ia vlen që të provohet me patjetër.

Kombinimi që nuk iu ka shkuar në mendje se mund të japë një rezultat kaq fantastik në shije.

Mbusheni shtëpinë tuaj me aromën e mrekullueshme të këtij mesniku duke ndjekur hapat e treguar.

Përbërësit

Për brumin

  • 500 g miell
  • 3 lugë gjelle vaj ulliri
  • 1 lugë çaji kripë
  • 250-300 ml ujë të vakët

Për mbushjen

  • 2 kofsha pule bashkë me pjesën e trashë të tulit
  • 3 lugë gjelle vaj ulliri
  • 2 qepë
  • 200g djathë të bardhë
  • 1 gotë uji me trahana
  • Kripë
  • Piper i zi
  • 3 gota lëng nga mishi i pulës
  • 3 vezë

Përgatitja

Si fillim AgroWeb.org ju këshillon që të vendosni për të zierë mishin e pulës me 5 gota uji. Lëreni në zjarr mesatar derisa të ziejë.

Kur të shihni që uji krijon bulëza në sipërfaqe hidhni kripën dhe lëreni në zjarr të ulët derisa të jetë gati mishi.

Më pas hiqni thelat e mishit dhe lëngun lëreni të ftohet në një tas qelqi.

Kur pula të jetë ftohur pak, largoni lëkurën dhe kockat, e ndërsa mishin priteni apo ndajeni me dorë në copa të vogla.

Ndërkohë AgroWeb.org ju sugjeron që të vendosni një tigan në zjarr ku të hidhni vaj ulliri.

PAsi të keni qëruar dhe grirë sa më imët qepën, skuqeni lehtë derisa ngjyra e saj të bëhet pothuaj transparente.

Kalojini copat e mishit dhe qepën e skuqur në një tas të madh, po aty hidhni trahananë, djathin e thërrmuar, kripë e piper.

Përziejini mirë dhe lërini të mbuluara me qese kuzhine ndërkohë që përgatisni brumin.

Hidhni miellin, vajin e ullirit dhe kripën në një tas të madh dhe shtoni ngadalë ujin e vakët duke e punuar brumin.

Kur brumi të jetë gati, sipërfaqja e tij duhet të jetë e lëmuar dhe e butë.

Pas 30 minutash që ta keni lënë të pushojë brumin, ndajeni atë në katër kuleçë.

Hapini ato në petë me madhësi pak më të madhe se tepsia që keni përzgjedhur.

Lyejeni tavën me vaj ulliri dhe shtroni petën e parë.

Spërkateni atë përsëri me vaj dhe shtroni edhe petën e dytë.

Tani hidhni mbushjen dhe hapeni mirë me ndihmën e një luge apo spatula.

Vazhdoni edhe me dy petat e tjera.

Palosni anët e petave në mënyrë që mbushja të mos derdhet dhe priteni byrekun në katrorë.

Në një tas rrihni vezët me lëngun e mishit derisa të krijojnë një masë të njëtrajtshme.

Këtë masë në formën e salcës hidheni mbi byrekun tuaj.

Lëreni 30 minuta në mënyrë që petat dhe trahanaja të përthithë lëngun dhe më pas futeni për ta pjekur.

Furrën duhet ta keni ngrohur në 190 gradë dhe byreku është gati kur sipërfaqja e tij ka marrë një ngjyrë të artë të ndezur./AgroWeb.org