Mish me Qepë dhe Hudhra – Shije e Përkryer, Thjeshtë dhe Lehtë në Shtëpi

8.2k 0

Kjo është një recetë fantastike, tipike tradicionale e kuzhinës shqiptare.

Është një recetë me shije të mrekullueshme, ideale për një drekë të plotë, e që kombinohet në mënyrë të përkryer me produkte të tjera.

AgroWeb.org ju sjell hapat e thjeshtë të përgatitjes së kësaj recete në shtëpi, një mënyrë e shkëlqyer për të mbledhur gjithë familjen rreth tryezës për ta shijuar.

Përgatitja e Mishit me Qepë dhe Hudhra

Përbërësit

  • 500 gr mish viçi tul pa kocka
  • 4-5 kokrra qepë mesatare
  • 6-7 thelpinj hudhrash
  • 2-3 lugë gjelle salcë domatesh
  • Kripë
  • Piper
  • 1 gjethe dafinë
  • 2 lugë gjelle uthull
  • Vaj Ulliri

Përgatitja

 Si fillim, prini mishin në kubikë jo shumë të vegjël. Kalojini në një tenxhere dhe skuqini nga të dyja anët me vaj ulliri për 2-3 minuta.

Më pas shtoni qepët e ndara në katër pjesë, vijoni t’i kaurdisni derisa volumi i qepëve të ulet.

Më pas shtoni, hudhrat, të cilat nëse janë të mëdha ndajini në dy pjesë, në të kundërt shtojini të plota.

Kaurdisini për dy minuta dhe më pas shtoni salcën e domates, kripën, piperin dhe gjethen e dafinës.

Kaurdisini të gjitha bashkë për dy-tre minuta të tjera, shtoni uthullën, përzjejini dhe më pas shtoni ujë derisa copat e mishit të mbulohen por jo plotësisht.

Lëreni të ziejë në zjarr të ngadaltë derisa mishi të zbutet dhe gjella të mbetet jo me shumë lëng.

Nëse preferoni para se të shtoni ujin, masën e përgatitur mund ta kaloni në një tavë të vogël, më pas t’i shtoni ujë dhe ta fusni për t’u pjekur në furrë të parangrohur derisa mishi të jetë gati dhe tava të mbetet me pak lëng në fund.

Kjo recetë shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me sallata të freskëta të stinës, perime të pjekura, byrekë të ndryshëm shtëpie, turshi etj./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.