Pastiço me Krem Qumështi dhe Djathë – Receta për një Drekë të Shijshme

1.6k 0

Makaronat janë gjithmonë një zgjidhje e shpejtë, kur nuk jeni të sigurt se çfarë të përgatisni për drekë.

Ato mund të përgatiten me salcë domatesh, të pjekura në furrë me mish apo në formën e pastiços.

Sot AgroWeb.org ju sjell pikërisht një recetë të re të makaronave të përgatitura si pastiço.

Ndryshe nga receta klasike e pastiços me mish të grirë që kërkon goxha kohë dhe impenjim, pastiçoja me krem qumështi është shumë e lehtë.

Ndiqni hapat e përgatitjes dhe provojeni që sot për një drekë vërtet të shijshme.

Përbërësit

  • 1 pako me makarona të trasha
  • 1 l qumësht
  • 100 g gjalpë
  • 130 g miell
  • 200 g djathë i bardhë
  • 2 të verdha vezësh
  • Piper
  • Arrë myshku (Arrë moskat)

Përgatitja

Si fillim vendosni dy tenxhere në zjarr, njërën me ujë për zierjen e makaronave dhe tek tjetra hidhni gjalpin që të shkrihet.

Tek tenxherja me gjalpin shtoni miellin dhe përzjejeni me një lugë druri në mënyrë që të skuqet lehtë.

Kur mielli të ketë marrë një ngjyrë të artë filloni të shtoni qumështin ngadalë.

Kini kujdes, në këtë fazë duhet të përzieni vazhdimisht masën e formuar, pasi duhet të shmangni krijimin e kokrrizave.

Lëreni që të vlojë dhe sapo bulëzat e para të depërtojnë në sipërfaqen e tenxheres, largojeni atë nga zjarri.

Përzjejeni masën dhe më pas shtoni djathin e bardhë të thërrmuar, piperin dhe arrën e myshkut për t’i dhënë dhe shijen perfekte recetës.

Pasi të keni përzierë mirë gjithçka, është momenti që të shtoni të verdhat e vezëve të cilat i keni rrahur lehtë mëparë.

Ndërkohë uji ka zierë dhe aty keni shtuar kripën dhe makaronat.

AgroWeb.org ju këshillon që makaronat të mos i lini të zbuten plotësisht.

Pasi ti keni kullua, kalojini makaronat tek tenxherja ku keni kremin e qumështit.

Përzjejini mirë, në mënyrë që mos të mbeten makarona të thata pa krem.

Merrni një tavë dhe lyejeni me pak gjalpë dhe hidhini në fundin e saj pak bukë të thekur të thërrmuar.

Shtoni makaronat me kremin e qumështit dhe përhapeni në të gjithë sipërfaqen e tavës.

Prisni disa copa të vogla gjalpi dhe hidhini në sipërfaqen e pastiços dhe futeni në furrë për ta pjekur.

Furrën vendoseni në 200 gradë, dhe piqeni derisa sipërfaqja e pastiços të ketë marrë një ngjyrë të artë.

Pasi të jetë pjekur mjafton që ta lini të ftohet pak para se ta prisni dhe mund ta shijoni me sallata të ndryshme./AgroWeb.org