Gurabije të Shpejta – Gati në Vetëm 30 Minuta

6.3k 0

Recetat e shpejta dhe me pak përbërës janë të preferuara e të gjithëve.

Të thjeshta për t’u përgatitur, ato mund t’i provojë çdokush.

E tillë është edhe receta e radhës e AgroWeb.org që shpjegon shkurtimisht përgatitjen e gurabijeve.

Të ëmbla dhe të shkrifëta, këto gurabije do të kthehen në të preferuarat tuaja.

Duke qenë se nuk kërkojnë gjalpë apo vaj ulliri, ato janë të lehta dhe perfekte për të shoqëruar mëngjeset në familje.

Por sigurisht mund t’i përgatisni edhe për raste festash apo gëzimesh, pasi kanë një shije fantastike.

Përbërësit

  • 2 vezë
  • 4 gotë uji miell
  • 1 gotë uji qumësht
  • 1 gotë uji sheqer
  • 1 lugë çaji sodë buke

Përgatitja

Si fillim thyeni në një tas vezët dhe aty shtoni sheqerin me sasinë e përcaktuar në recetë.

Me ndihmën e telit të kuzhinës rrihini vezët me sheqerin derisa të krijoni një masë kremoze.

Ngjyra e kremit duhet të jetë e verdhë e lehtë dhe kokrrizat e sheqerit do të jenë tretur plotësisht.

Ndërkohë në gotën e qumështit shtoni sodën e bukës dhe përziejeni mirë që të shkrihet.

Këtë përzierje shtojeni tek kremi me vezë dhe sheqer.

AgroWeb.org ju këshillon që të vazhdoni të përdorni telin e kuzhinës kështu përbërësit do të lidhen më mirë.

Tani e ka kohën mielli, përbërësi kryesor i gurabijeve.

Gjatë kohës që hidhni miellin duhet të përzieni mirë masën, kështu nuk do të krijohen kokrriza të cilat prishin shijen e gurabijeve.

Kur masa të bëhet e trashë nisni ta punoni me  duar.

Brumi duhet të jetë i lëmuar dhe elastik, që mos t’ju ngjitet në duar kur e punoni.

Lëreni disa minuta që të pushojë, ndërkohë keni ndezur furrën tek 170.

Përgatisni një tavë duke i shtruar një letër pjekjeje, dhe filloni me ndarjen e brumit të gurabijeve me madhësinë e një veze.

Vendosini topthat në tavë dhe shtypini lehtë, pa i prishur formën e rrumbullakët, në sipërfaqe.

Futini për t’i pjekur për 25-30 minuta.

Sapo gurabijet të kenë marrë një ngjyrë të artë të lehtë në sipërfaqe largojeni tavën nga furra.

Largojini nga tava dhe mund t’i shërbeni të ngrohta plot shije për të dashurit tuaj./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.