Mënyra Perfekte e Përgatitjes së Mishit të Kecit plot Shije

7.9k 0

Mishi i kecit përmban nivele të ulëta yndyre dhe kolesteroli.

Ai është i pasur me hekur dhe proteinë duke u bërë kështu një zgjedhje e shkëlqyer për ata që konsiderohen si dashamirës të mishit.

Ky mish nuk ka dhjamë dhe është zgjedhja më e shëndetshme në krahasim me pulën, viçin dhe qengjin.

Një sasi prej 100 gramë mish keci ofron  124 kalori, 2.6 gramë yndyrë, 0.8 nga të cilat e ngopur, 25 gramë proteinë dhe 64 mg kolesterol.

Proteina është e rëndësishme sepse ju mban të ngopur gjatë dhe përbën një sistem mbështetës për riparimin e qelizave.

Mishi i kecit është shumë i butë, kërkon të piqet ngadalë që të nxjerrë në pah madhështinë e vet, ka një aromë të fortë dhe përbën një nga gatimet më të mira në vendin tonë.

Përpos të tjerave, ky mish është më i freskët dhe më i pasur në vlera, duke qenë se dhitë kullosin të lira gjithmonë në natyrë, duke marrë më të mirat e mundshme prej saj.

Në AgroWeb.org do të mësoni si të piqni sa më shijshëm mishin e kecit me erëza.

Mish Keci i Pjekur Me Erëza

Merrni pjesën e kofshës së kecit dhe spërkateni me spec djegës, piper të kuq, hudhër, vaj ulliri, piper të zi dhe lëng limoni.

Fërkojeni mishin mirë që të përthithë erëzat, mbështilleni tepsinë me qese plastike dhe mbajeni në frigorifer (jo në zonën e ngrirjes) gjatë gjithë natës.

Të nesërmen, nxirreni mishin nga frigoriferi të paktën 30 minuta përpara gatimit.

Ndizeni furrën në 150°C dhe mishin fërkojeni me kripë.

Mbusheni gjysmën e tepsisë me ujë dhe mbulojeni atë me letër pjekjeje në shtresë të dyfishtë.

Sigurohuni që ta mbështillni fort dhe më pas futeni në furrë.

Piqeni mishin për rreth 4 orë dhe herë pas here spërkateni pjesën e sipërme të mishit me lëngun e tij.

Kur mishi të jetë gatuar, do të shkëputet lehtë nga kocka.

Lëreni tepsinë në temperaturë ambienti për 20 minuta. Hiqeni mishin me copa dhe servireni me salcë kosi, sallatë e turshi./AgroWeb.org