Si të Përgatisni Reçel Portokalli – Receta e Ëmbël në pak Hapa

3.4k 0

Shija e portokalleve të freskëta nuk ka të krahasuar dhe është gjithnjë tërheqëse.

Ky frut përmban pak kalori dhe asnjë gjurmë yndyre apo kolesteroli.

Portokalli është i pasur me fibër dietike, minerale dhe vitamina.

Një kokërr e vetme përmban 170 substanca të ndryshme mirëbërëse dhe 60 lloje antioksidantësh.

Portokallet janë të pasura me kalium, që është përgjegjës për funksionin normal të zemrës.

Një studim i kohëve të fundit, zbuloi se konsumi i lartë i agrumeve si portokallet dhe limonët mund të parandalojë sëmundjet e zemrës të shkaktuara nga mbipesha, sëmundjet e mëlçisë  dhe diabetin.

Portokallet mund të përdoren në shumë receta por shija më sublime e tyre është ajo e reçelit.

Si Të Përgatisni Reçel Portokalli Në Vetëm Një Orë

Për përgatitjen e këtij reçeli të shpejtë ju nevojiten:

  • 2 kilogramë portokallë pa fara
  • 600 gramë sheqer
  • 1 lugë çaji vanilje pluhur
  • Lëngu i një limoni

Përgatitja:

Lajini portokallet me sfungjer për të eliminuar çdo papastërti në lëkurën e tyre.

Qëroni gjysmën e portokalleve, pastrojini nga farat dhe ndajini në copa mesatare.

Portokallet e paqëruar ndajini në copa më të vogla.

Vendosini të gjitha në një tenxhere të thellë dhe shtoni një gotë me ujë.

Uleni temperaturën e sobës dhe lërini portokallet të gatuhen për 40 minuta duke i përzier herë pas here.

Shtoni sheqerin dhe vaniljen dhe pas 10-15 minutash shtoni lëngun e limonit.

Ndërkohë, lajini kavanozët dhe thajini mirë.

Vendosini në një tavë ku keni shtruar letër pjekjeje dhe më pas në furrë që të ngrohen për 15 minuta. Kjo procedurë do të ndihmojë në sterilizimin e kavanozëve.

Reçeli ndërkohë është gati dhe nëse dëshironi mund ta përpunoni në mikser për një masë më homogjene.

Transferojeni reçelin në kavanozat e përzgjedhur dhe kur ai të jetë ftohur disi, kavanozat mbajini në një vend të freskët e të errët ose në frigorifer sipas dëshirës./AgroWeb.org/