Mëngjesi është një nga vaktet më të shpejta, por edhe më të shijshme që njerëzit konsumojnë.
Kjo zgjedhje është jo pa qëllim, pasi konsiderohet si pikënisja ku trupi merr energji për gjithë ditën.
Në vendin tonë për të nisur ditën plot fuqi ka një traditë të gjatë të gatimit të petullave.
Llojet e tyre nuk kanë të mbaruar, pasi çdo krahinë i përgatit në mënyra të ndryshme.
Megjithëse janë një gatim shumëvjeçar, shija e tyre mbetet ende e preferuar sado që vitet kalojnë.
Në këtë recetë të AgroWeb.org ju tregojmë mënyrën e përgatitjes së petullave me gjalpë dhe kanellë.
Shija e tyre e butë dhe aroma e mrekullueshme që lëshojnë do të kthehen në ushqimin e preferuar të ditëve tuaja.
Përbërësit
- 135 gr miell
- 180 ml ujë
- 14 gr gjalpë
- 4 vezë
- 1 lugë çaji sheqer
- kripë
- vaj për skuqje
Për spërkatjen
- 100 gr sheqer
- 8 gr pluhur kanelle
Përgatitja
Për të nisur këtë recetë AgroWeb.org ju këshillon të vendosni një tigan të thellë ose një tenxhere në zjarr mesatar.
Në të hidhni gjalpin, 1 lugë çaji sheqer dhe ujin, duke i përzier vazhdimisht.
Shtoni edhe sasinë e miellit, duke përzier sërisht me anë të një luge druri derisa brumi të fillojë të nxjerrë bulëza.
Bëjeni këtë proces për 2-4 minuta pa ndaluar.
Do të formohet një brumë i trashë nga përzierja dhe nxehtësia e vazhdueshme duke u kthyer në një masë brumi të fortë.
Më pas ulni nxehtësinë e sobës në minimum dhe lëreni brumin tuaj për 1-2 minuta të tjera në tigan.
Pas kësaj kalojeni atë në një enë të thellë dhe përziejeni me shpejtësi të ulët me anë të një rrahësi elektrik për 1 minutë.
Duke përzier, shtoni vezët një nga një, dhe rrisni shpejtësinë në mesatare ose të lartë për 3 minuta të tjera.
Kur të mbaroni brumi do të jetë kremoz dhe pak ngjitës, prandaj mbulojeni me një qese kuzhine dhe futeni në frigorifer për 30 minuta.
Për spërkatjen
Ndërkohë përgatisni masën për spërkatjen e petullave tuaja duke bashkuar sheqerin me kanellën në një enë të thellë.
Skuqja e petullave
Në një tigan të thellë hidhni vajin për skuqje të paktën deri në gjysmë të tij, siç bëni zakonisht me skuqjen e petullave.
Nxizni zjarrin në nehtësi mesatare dhe lëreni vajin të ngrohet dhe nxirrni brumin nga frigoriferi.
Kur vaji të jetë i nxehtë, me anë të një luge merrni pak nga brumi në mënyrë q ëtë formoni petullën e parë.
Bëni kujdes, pasi vaji i nxehtë do të spërkasë të gjithë zonën ku po gatuani dhe mund t’ju djegë duart.
Këtë proces bëjeni me të gjithë brumin që keni përgatitur, krijoni një nga një toptha të vegjël petullash.
Lërini të skuqen njëra pas tjetrës, derisa të marrin pamje të artë dhe të fryhen. Ky proçes do të zgjasë rreth 6-8 minuta.
Më pas kalojini në një pjatë të shtruar me letër në mënyrë që letra të përthithë vajin e tepërt.
Lërini aty për disa momente dhe zhytini tek kanella me sheqerin që përgatitët më parë.
Rrotullojini ato disa herë në mënyrë që të mbulohen dhe spërkaten mirë.
Pasi të keni mbaruar me të gjitha, mund t’i shërbeni sipas dëshirës me pak mjaltë mënjanë./AgroWeb.org